Lidhje

Kriza greke, jo vetëm problem i Greqisë


Diskutimet mbi paketën financiare të shpëtimit për Greqinë – e treta në pesë vjet, pritej të fillonin sot në Athinë, pas miratimit nga parlamenti të kushteve të reja të ashpra të vendosura nga kreditorët evropianë. Vizita e troikës shënon herën e parë që në kryeqytetin grek mbahen bisedime të nivelit të lartë, që nga ardhja në fuqi e qeverisë së majtë të kryeministrit Aleksis Tsipras në fund të janarit. Ekspertët paralajmërojnë se Greqia ka një rrugë të vështirë për të bërë dhe rezultati i kësaj pakete të re shpëtimi nuk është i sigurt.

Pasojat e krizës greke
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:05 0:00

Kriza greke e ka tronditur Bashkimin Europian. Vendet e ndryshme dhe udhëheqësit e tyre nuk arritën ta zgjidhin përkohësisht çështjen nëse Greqia meriton ose jo që t’i jepet një tjetër shans me një paketë të re ndihmash, apo në se ligjvënësit europianë duhet të veprojnë sipas ligjeve të grupit, duke i ofruar Greqisë daljen e përkohshme nga eurozona, një ide e qarkulluar nga disa udhëheqës gjermanë.

Wolfgang Schaeuble, Ministër i Finacave i Gjermanisë:

“Ka disa rregulla europiane. Në deklaratën që doli njëzëri nga takimi i BE-thuhet se falja e borxhit përjashtohet, sipas ligjit europian.”

Shqetësimi i udhëheqësve europianë dhe fuqive të tjera botërore nuk kishte të bënte vetëm me çështjen nëse Greqia do të qëndronte, apo jo në Eurozonë. Fjala ishte më tepër për një shqetësim gjeopolitik.

Pasigurisë për të ardhmen e Greqisë i druhen të gjithë, sepse ajo mund të ndikojë tek ekuilibri i kontinentit të vjetër, si dhe tek e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ishin këto shqetësime që çuan në marrëveshjen e re mes qeverisë greke dhe vendeve të Eurozonës. Zoti Tsipras tha se nuk kishte zgjedhje tjetër, veçse t’i pranonte kushtet e kreditorëve, siç janë taksa të reja dhe reforma e pensioneve:

“Dua të theksoj se gjatë këtyre pesë muajve, jemi përpjekur shumë. Gjatë kësaj lufte kemi bërë edhe gabime dhe ju kam thënë, se unë marr plotësisht përsipër përgjegjësitë e mija dhe se nuk do t’i shmangem atyre. Ndjehem mjaft krenar për gjithshka është bërë…”, - tha kryeministri grek.

Marrëveshja e re mund të mos jetë zgjidhje për problemet me të cilat përballet Greqia, por veçse një përpjekje e re për gjetjen e një zgjidhjeje.

Megjithatë, Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv në Bordin e Guvernatorëve të Bankës Botërore, thotë se marrëveshja është një hap i mirë përpara:

“Parlamentit dhe qeverisë ju desh të marrin vendime të vështira për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet Greqia. Zgjidhja do të vijë vetëm kur vendit t’i kthehet kompetitiviteti dhe rritja ekonomike. Mesazhi i marrëveshjes është që vendi është në rrugën e duhur; megjithëse nuk ka për të qenë një zgjidhje brenda një dite, rruga është e hapur për rikthimin e kompetitivitetit dhe rritjes ekonomike të vendit.”

Zyrtarët grekë kanë shprehur shqetësim se masat e reja shtrënguese që kërkon marrëveshja mund ta çojnë vendin në një tjetër krizë, më të ashpër ekonomike. Por zoti Pagano mendon ndryshe. Ai thotë se reformat janë shumë të rëndësishme për të ndërtuar besimin, tepër të nevojshëm për Greqinë:

"Zbatimi i reformave strukturore kërkon kohë…Por e rëndësishme është që ato të zbatohen, sepse vetëm në këtë rast rikthehet besimi; me kthimin e besimit vijnë investimet dhe me investimet vjen rritja ekonomike.”

Por, a mund të kenë sukses reformat në Greqi?

Nick Parsons, shef për strategjinë e tregjeve në Bankën Kombëtare të Australisë ka dyshime:

“Unë mendoj se ka vetëm një numër të vogël ekonomistësh, apo analistësh, të cilët besojnë në qëndrueshmërinë e kësaj pakete, se ajo do të mund të zbatohet dhe që besojnë se ajo mund të jetë e suksesshme.”

Kriza greke nuk është vetëm një problem i Greqisë. Ekzistojnë shqetësime se ajo mund të ndikojë tek vendet fqinjë përmes remitancave, paratë që dërgojnë në vendet e tyre imigrantët, apo përmes degëve të bankave greke në vende si Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia dhe Serbia.

Për Zërin e Amerikës, Laura Konda, Uashington.

XS
SM
MD
LG