Lidhje

Ishulli grek që mund të funksionojë me energji të rinovueshme


Një ishull i vogël grek ka vendosur të sigurojë të gjithë energjinë e tij nëpërmjet turbinave të erës, një park me panele diellore dhe një sistem depozitimi me bateri. Ishulli Tilos ka vetëm 400 banorë, por tërheq rreth 13 mijë turistë në vit.

Kur të fillojë rrotullimin helika e turbinës prej 800 kilovatësh, ishulli grek Tilos do të funksionojë i gjithi me energji të rinovueshme. Teknikët po testojnë funksionimin e mullinjve të erës që synohet të vihen në efiçencë në fund të këtij viti.

E gjithë energjia e ishullit do të furnizohet prej erës, një parku diellor dhe nëpërmjet depozitimit në bateri të ringarkueshme. Ky sistem i ri po financohet nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet një projekti që synon të zëvendësojë sistemin e amortizuar energjitik të ishullit, i cili gjatë dimrit ka vetëm 400 banorë, por që tërheq rreth 3 mijë turistë gjatë verës.

“Çelësi i këtij sistemi janë bateritë që do të depozitojnë energjinë. Energjia që do të prodhohet nga turbinat e erës dhe nëpërmjet sipërfaqeve fotovoltaike do të depozitohen në bateritë, të cilat do të ushqejnë rrjetin kur të jetë nevoja”, thotë Spiros Aliferis, i kompanisë “Eunice Energy Group”.

Projekti u hartua nga Universiteti i Anglisë Lindore, në Britani, si dhe nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Pireut, në Greqi. Krahas sistemit të baterive depozituese, në shtëpitë e ishullit u instaluan sahatë inteligjentë, për të përcaktuar orët kur do të ketë më shumë kërkesë për energji. Deri më tani, ishulli është furnizuar nëpërmjet një stacioni nafte që ndot ambjentin, si dhe një kablli nënujor, rryma e të cilit ka krijuar probleme të konsiderueshme në prishje të paisjeve dhe ka kosto të lartë mirëmbajtjeje. Për pasojë, banorët kishin blerë gjeneratorë me naftë.

“Jam shumë optimiste për këtë projekt, pasi ka shumë pak pasoja negative për biznesin dhe për turistët që na vijnë. Tashmë njerëzit do të jenë më të kënaqur dhe nuk do të na digjen më frigoriferët”, thotë një pronare hoteli, Sevasti Delaporta.

Konsumi i energjisë është shumë i vogël gjatë ditëve të gjata me diell, ndërsa turistët qëndrojnë zakonisht në plazh, por ishulli gjallërohet në darkë kur njerëzit u drejtohen bareve dhe kafeneve.

“Jam krenare për çfarë po bëjnë këtu në Tilos me energjinë e rinovueshme dhe që nuk do jenë më të ndërvarur nga ishujt e tjerë”, thotë turistja hollandeze, Eva Lemaire, e cila vjen këtu çdo verë.

Megjithëse për të ardhur në ishullin e vogël Tilos duhen 14 orë udhëtim me traget, numri mesatar vjetor i turistëve në këtë ishull është rreth 13 mijë. Ishulli shpreson të shndërrohet në shembullin frymëzues për ishujt e tjerë, si dhe të shtojë numrin e turistëve që vlerësojnë mbrojtjen e mjedisit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG