Lidhje

Grekët, mosbesues për marrëveshjen e arritur në BE


Grekët, mosbesues për marrëveshjen e arritur në BE
Grekët, mosbesues për marrëveshjen e arritur në BE

Udhëheqësit evropianë arritën një marrëveshje dje për të cilën ata shpresojnë se do të shënojë një pikë kthese në krizën dyvjeçare të borxheve. Ata ranë dakord pas një nate me negociata të tensionuara për t’i bindur bankat që të pranojnë humbje më të mëdha për borxhet e Greqisë dhe për të konsoliduar mekanizmat e rajonit kundër luhatjeve të tregut. Megjithatë grekët ishin mosbesues për strategjinë që u bë e njohur pas 10 orë negociatash.

Plani përfshin një pakësim të konsiderueshëm të borxheve të Greqisë, një konsolidim të bankave të kontinentit, pjesërisht që ato të mund të përballojnë humbjet nga letrat me vlerë të Greqisë dhe një rritje të fondit të shpëtimit që mund të shërbejë si një garanci prej 1 trilionë eurosh (1.39 trilionë dollarësh) për të parandaluar problemet që mund të dalin nga vende si Italia dhe Spanja.

Pas disa shanseve të humbura, marrëveshja ishte një sukses për eurozonën por efektiviteti i saj do të varet nga hollësitë që do të finalizohen në ditët dhe javët e ardhshëm.

Pjesa më e vështirë e mozaikut ishte Greqia. Yanis Varoufakis, profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës thotë se plani i ri nuk jep shpresë për zhvillim.

“Ne kemi masa shtrënguese, kemi shpresa të ekzagjeruara për sasinë e parave që mund të nxirren nga ekonomia greke përmes privatizimit apo taksave për të paguar për këto marrëveshje dhe më duket se gjendja e ekonomisë greke do të vazhdojë të vështirësohet”.

Për të realizuar uljen e shpenzimeve, kreditorëve privatë do t’u duhet të pranojnë 50 për qind humbje për letrat me vlerë që kanë në gjendje.

Në orët e para të mëngjesit sot, vlera e aksioneve të bursës greke ishte rritur 3.46 për qind dhe aksionet e bankave ishin rritur 10 për qind, pas humbjeve të thella ne fillim të javës. Prof Varoufakis e quajti rritjen e vlerës së aksioneve, optimizëm fillestar.

“Duke pasur parasysh përvojën e së kaluarës, mendoj se tregjet do ta kapërcejnë këtë periudhë dhe ne do të rikthehemi në gjendjen e mëparshme”.

Edhe banorët e Athinës nuk ishin optimistë.

“Jam aq e zhgënjyer saqë nuk mendojë se do të ndryshojë gjë. Nuk i shoh më lajmet financiare”.

Që nga maji 2010, Greqia po mbijeton falë huave me vlerë 11- miliardë euro nga 17 vendet e Eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar,pasi nuk mund të marrë hua drejtpërdrejt nga tregjet.


XS
SM
MD
LG