Lidhje

Greqi, hapet parlamenti, 3 deputetë ende në burg


Politikanët grekë u paraqitën sot në Parlament për fillimin e sesionit dimëror. Ndërkohë, tre ligjvënës nga partia ekstreme e djathtë Agimi i Artë vazhdojnë të jenë në burg, në pritje të gjykimit nën akuzat për drejtimin e një organizate kriminale.

Kryeministri Antonis Samaras nuk bëri komente për gazetarët pas arritjes në parlament, por deputetja Dora Bakojanis, e partisë së qendrës së djathtë, Demokracia e Re, e përshkroi Agimin e Artë si një "organizatë kriminale".

"Ajo që ne dënojmë janë veprat kriminale të Agimit të Artë", tha zonja Bakojanis. "Për fat të keq, ato janë shumë, kështu që tani gjithçka i mbetet drejtësisë dhe gjykatave."

Nikos Mikaloliakos, Yiannis Lagos dhe Christos Pappas u arrestuan pas vrasjes me thikë të këngëtarit të majtë Pavlos Fyssas më 17 shtator.

Ata janë deputetët e parë që burgosen që prej rënies së diktaturës ushtarake, e cila sundoi nga viti 1967 deri më 1974. Agimi i Artë flet hapur në favor të diktaturës.

Dikur e panjohur, kjo parti ekstremiste është bërë tani partia e tretë më popullore në Greqinë e prekur rëndë nga depresioni - pavarësisht akuzave të shumta për sulme ndaj imigrantëve, kundërshtarëve politikë dhe homoseksualëve.

Deputetja e Partisë Komuniste Liana Kanelli u vu në qendër të medias ndërkombëtare, kur një anëtar i Agimit të Artë i ra me shuplakë gjatë një emisioni televiziv. Ajo tha se hetimet ndaj Agimit të Artë duhet të ishin bërë 40 vjet më parë.

"Problemi nuk është nëse ata janë bandë apo jo. Mendoj se gjithkush e ka kuptuar që ata janë. Problemi është tani të binden njerëzit se ata kurrë nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë zgjidhja e problemeve të popullit," tha zonja Kanelli.

Ndërkohë, Greqia shpreson që vitin tjetër, ekonomia e saj të ketë rritje, ndonëse të vogël. Në projektbuxhetin e paraqitur sot në parlament, qeveria parashikon një rritje prej 0.6 përqind për vitin 2014, pas një recesioni gjashtëvjeçar.
XS
SM
MD
LG