Lidhje

Grekët të pakënaqur me miratimin e reformës


Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schaeuble viziton Athinën - grekët kundërshtojnë ligjin, që shkurton punonjës të sektorit publik

Grekët reaguan me zhgënjim sot lidhur me miratimin nga parlamenti të një reforme që parashikon shkurtime të punonjësve të sektorit publik. Ata thanë se do të donin që ministri gjerman i Financave Wolfgang Schaeuble, i cili po viziton Athinën, të ndryshonte qëndrimin e tij këmbëngulës për masat shtrënguese.

Koalicioni qeveritar i Greqisë, në orët e para të mëngjesit, arriti të sigurojë miratimin nga ana e parlamentit të një projekt-ligji që shkarkon punonjës të sektorit publik. Kjo reformë, e cila i hap rrugën marrjes së këstit të ardhshëm të fondit të shpëtimit, u miratua me 153 vota pro dhe 140 kundër, ndërkohë që mijëra njerëz protestuan jashtë portave të parlamentit me parulla kundër masave shtrënguese.

Votimi ishte prova më e rëndësishme për koalicionin dypartiak të kryeministrit Antonis Samaras, që prej humbjes së një aleati për shkak të mbylljes së papritur të rrjetit shtetëror të transmetimeve televizive muajin e kaluar, që e la atë me një shumicë prej vetëm pesë anëtarësh në parlamentin me 300 vende.

Projekt-ligji i jep 25 mijë punonjësve publikë tetë muaj kohë për të gjetur punësim tjetër, ose largim nga vendi aktual në fund të afatit. Debati në parlament mbi paketën e reformës shkaktoi një javë me mitingje, greva dhe marshime protestash pothuajse të përditshme.

"Mbi projekt-ligji ishte vendosur tashmë dhe ai do të ishte miratuar gjithsesi. Unë jam kundër shkurtimeve,'' tha inxhinierja 50-vjeçare Dimitra Kesafouri, gjatë rrugës për në punë.

"Është e papranueshme, ashtu si çdo gjë që ndodh në vendin tonë. E gjithë situata është shumë dëshpëruese,'' tha inxhinierja 43-vjeçare Katerina Boupa.


Ndërkohë që ministri gjerman i Financave Wolfgang Schaeuble ndodhet në Athinë, shumë grekë, për krizën ekonomike të vendit, fajësojnë atë dhe këmbënguljen e Gjermanisë ndaj masave shtrënguese. Demonstruesit thonë se nuk mund të përballen me shkurtime të tjera të shpenzimeve qeveritare apo me rritje të mëtejshme të taksave – një mesazh që qeveria e tyre do t’ia transmetojë ministrit Schaeuble, nismëtarit kryesor të Evropës për masat shtrënguese ekonomike.


Disa grekë në rrugët e Athinës, thanë se ministri gjerman i Financave duhet të mos i shohë më njerëzit si të ishin numra.


Kjo është vizita e parë e zotit Schaeuble në Athinë, që nga fillimi i krizës evropiane të borxhit, në fund të vitit 2009. Ai ka shkuar në Greqi për t’i ofruar vendit një fond prej 100 milionë eurosh për nxitjen e rritjes ekonomike. Papunësia në Greqi është gati 27 për qind, më shumë se dyfishi i mesatares së eurozonës prej 12,2 për qind.

XS
SM
MD
LG