Lidhje

Greqi, inspektorët e treshes vazhdojnë analizën financiare


Greqi, inspektorët e treshes vazhdojnë analizën financiare
Greqi, inspektorët e treshes vazhdojnë analizën financiare

Inspektorët e tre institucioneve të rëndësishme financiare ndërkombëtare vazhduan të analizojnë gjendjen financiare dhe ritmet e reformave në Greqi, pas një ndërprerjeje që ishte shkaktuar nga mospajtimet mes tyre mbi hapat e nevojshëm për kapërcimin e situatës.

Inspektorët që po analizojnë gjendjen financiare dhe reformat e deritanishme të miratuara në Greqi, thonë se objektivat për vitin 2011 nuk janë të realizueshme edhe me këto masa. Kjo për rezultat të të metave në zbatimin e reformave dhe rënies së prodhimit të brendshëm të Greqisë më shumë se ç’parashikohej.

Por inspektorët e Treshes së institucioneve ndërkombëtare thonë se megjithatë masat do të ndihmojnë për të stabilizuar gjendjen për 2012, por do të duhen reforma të mëtejshme për periudhën 2013-2014. Edhe nëse arrihet një miratim përfundimtar për kredinë e domosdoshme që Greqia të vazhdojë të shlyejë detyrimet financiare pas mesit të nntorit, miratimi nuk pritet deri kur ministrave të financave të eurozonës dhe bordit të FMN-së t’i paraqitet një raport i plotë i inspektorëve.

Javën e kaluar inspektorët kërkuan hollësi të mëtejshme mbi ndikimin që do të kenë shkurtimet në sektorin publik dhe rritja e taksave. Por edhe miratimi i këstit të ri të ndihmave do të përbënte thjesht një lehtësim të përkohëshëm.

Me rëndimin e krizës, vëmendja është përqendruar në një plan të dytë ndihmash, për të cilin u arrit marrëveshje në korrik. Greqia e mbytur në borxhe pritet të ketë nevojë për ndihma të tjera, ndërkohë që ekonomia e vendit po tkurret më shumë se ç’parashikohej. Greqia është në recesion të thellë dhe pritet që borxhi qeveritar të arrijë 162 për qind të prodhimit të përgjithshëm vendas këtë vit. Qeveria është angazhuar për reforma të thella, përfshirë shkurtime të ndjeshme pagash për punonjësit e sektorit shtetëror, shkurtime të vendeve të punës dhe rritje taksash që do ta godasin rëndë klasën e mesme greke.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe FMN e kanë kritikuar vazhdimisht Athinën se nuk po tregohet agresive sa duhet në përmbushjen e reformave dhe ministrat e eurozonës e kanë vonuar për një muaj lëvrimin e kredisë për të ushtruar presion mbi qeverinë greke.

Ministri i Jashtëm Evangjelos Venizelos u përpoq sot të eliminonte shqetësimet se Greqia mund të dëbohet nga grupi i vendeve që përdorin monedhën e përbashkët euro:

"Nuk ka asgjë për të negociuar këtu, as nga ana jonë, as e partnerëve tanë: Greqia është dhe do të mbetet pjesë e eurozonës”.

Mospagimi i detyrimeve të borxhit nga Greqia mund të precipitonte një krizë me pasoja të paparashikueshme që mund të destabilizonte të gjithë eurozonën. Por shkurtimet e thella të kërkuara nga institucionet ndërkombëtare, kanë shkaktuar revolta në radhët e grekëve të thjeshtë.

Rradhë të gjata me makina prisnin në pikat e karburantit, ndërkohë që pirgjet e plehërave po zmadhohen në rrugët e kryeqytetit grek. Punonjësit e një rafinerie të rëndësishme u hodhën sot në grevë, duke shkaktuar një panik dhe kërkesë të menjëhershme për karburant nga motoristët. Në ndërtesa qeveritare janë zhvilluar greva të njëpasnjëshme. Punonjësit e sektorit të shëndetësisë mbushën sot rrugët e Athinës me parulla e pankarta duke protestuar kundër shkurtimeve buxhetore.

XS
SM
MD
LG