Lidhje

Greqi: Përsëri protesta kundër masave shtrënguese


Greqi: Përsëri protesta kundër masave shtrënguese
Greqi: Përsëri protesta kundër masave shtrënguese

Punonjësit grekë të shërbimeve shëndetësore protestuan sot kundër masave të qeverisë që u kanë shkurtuar pagat dhe vendet e punës. Inspektorët e Bashkimit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe FMN-së vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e masave shtrënguese ekonomike në këmbim të ndihmës financiare që do të mënjanonte falimentimin e Greqisë muajin e ardhshëm.

Ndërsa diskutimet për Greqinë vazhdojnë në heshtje të plotë, qendra e Athinës u bë përsëri arenë e protestave kundër masave të rrepta në tryezën e negociatave.

Qindra punonjës të shëndetësisë dolën në protesta për të kundërshtuar shkurtimin e pagave dhe të vendeve të punës në këtë sektor si pjesë e programit të qeverisë.

“Të gjitha masat shtrënguese janë kundër nesh. Unë jam infermiere dua të më kuptojnë se kam 25 vjet punë, kam diplomë dhe me këto masa paguhem vetëm 1100 euro në muaj. Si do të mund të kujdesem për pacientët? A mund të ketë shërbim të mirë shëndetësor me 1100 euro në muaj? - pyet 48 vjeçarja Angeliki Akrivopulu.

“Merrja 1 mijë euro në muaj dhe tani marr vetëm 600. Kush mund të jetojë me 600 euro në muaj? Le të na përgjigjen ministrat dhe deputetët – thotë infermierja Kiriaki Vuyu.

Athina u ka premtuar drejtuesve të BE-së dhe FMN-së se do të vendosë mijëra punonjës të sektorit publik në të ashtuquajturën forcë rezervë të punës, duke bërë të mundur pushimin nga puna për herë të parë të punonjësve të sektorit publik në këmbim të ndihmës.
Por zyrtarët thonë se zbatimi i kësaj mase është shumë i komplikuar në vendin ku kushtetuta mbron punonjësit e sektorit publik.

Inspektorët e BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane do të analizojnë planet e reja për të paktën një javë. Shumica e analistëve presin që ata të miratojnë këstin tjetër të ndihmave, megjithëse shumë të tjerë presin që Greqia të mos jetë në gjendje të paguajë.

Ndërkohë dhoma e ulët e parlamentit gjerman miratoi sot ndihmën prej 620 miliardë dollarësh për fondin evropian të stabilitetit financiar.

XS
SM
MD
LG