Lidhje

Kriza greke në fazë kritike


Bankat greke qëndruan edhe sot të mbyllura, ndërkohë që kriza financiare e qeverisë përkeqësohet. Greqia përballet tani me një afat fare të ngushtë kohor për të zgjidhur problemet e saj me kreditorët.

Megjithëse bankat qëndruan mbyllur, disa prej tyre i lejuan sot pensionistët të hyjnë brenda për të kryer veprime bankare.

Në përpjekje për të lehtësuar barrën e krizës, Kryeministri i Greqisë Aleksis Tsipras po përpiqet të bindë udhëheqësit evropianë të pranojnë një paketë të re tre-vjeçare, duke u zotuar të zbatojë menjëherë reforma në fushën e taksave dhe pensioneve në këmbim të fondeve të shpëtimit.

Ndërsa kërkon mbështetje nga udhëheqësit politikë, kryeministri Tsipras thotë se do të dalë me "propozime të reja konkrete" deri të enjten, për të përmbushur kërkesat e udhëheqësve evropianë, të cilët tashmë ndihen të lodhur nga kriza e borxhit grek.

"Këto janë momente kritike dhe është e nevojshme që partive politike t’u jepet informacioni i duhur për të mos patur keqkuptime. Gjithashtu, mendoj se jemi duke vepruar brenda kuadrit të asaj për të cilën është rënë dakord dje dhe orët e ardhshme do të jenë vendimtare," tha Kryeministri Tsipras.

Ndërsa afati i së premtes afrohet me shpejtësi, Greqia nuk do të marrë ndonjë ndihmë të posaçme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilit ajo nuk ia pagoi dot këstin e kredisë prej gati 2 miliard dollarësh.

"Sa herë që Fondi Monetar është i përfshirë, ai duhet të ndjekë rregullat, ai nuk mund t’i ndryshojë ato dhe gjithmonë duhet të jetë i balancuar në veprime. Nuk mund të ketë asnjë trajtim të veçantë," tha Christine Lagarde, Drejtore e FMN-së.

Greqia, e la pa shlyer këstin e FMN-së javën e kaluar, kur ministrat e evropianë të financave nuk pranuan t’i japin asaj fonde të reja.

Të dielën, votuesit grekë refuzuan me referendum t’u nënshtroheshin kushteve të reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Udhëheqësit e BE-së thonë se do të marrin vendim rreth një plani të ri për Greqinë të dielën e ardhshme, gjatë një takimi të nivelit të lartë. Nëse nuk arrihet marrëveshje, ka mundësi që Athina të largohet nga blloku i monedhës së përbashkët.

AFATET PËR GREQINË

E enjte, 9 korrik: Athina duhet të paraqesë propozimet e reja

E premte, 10 korrik: BQE, BE dhe FMN diskutojnë në nivel teknik

E shtunë, 11 korrik: Ministrat e Eurogrupit diskutojnë planet

E djelë, 12 korrik: Mblidhet Eurogrupi, pastaj të 28 anëtarët e BE

E hënë, 20 korrik: Greqia duhet t’i paguajë BQE 3 miliard euro

XS
SM
MD
LG