Ministri francez i financave Francois Baroin vlerësoi marrëveshjen e arritur në Greqi, me të cilën ajo hodhi një hap kritik për të shmangur mospagimin e detyrimit financiar. Shumica dërrmuese e kredidhënësve ranë dakord të pranojnë humbjen e një pjese të mirë të vlerës së obligacioneve që kishin blerë nga qeveria greke.
Marrëveshja pritet t’i hapë rrugën një pakete të dytë financiare shpëtimi për Greqinë.
Pas shumë javë diskutimesh intensive, Ministria greke e Financave tha sot se 85.8 për qind e investitorëve privatë që kanë blerë obligacione të qeverisë e kanë nënshkruar marrëveshjen, dhe se ajo synon tani t’i detyrojë me ligj edhe investitorët e mbetur të marrin pjesë. Ajo e zgjati deri në 23 mars afatin për zotëruesit e obligacioneve që i nënshtrohen ligjeve të huaja, prej të cilëve deri më tani 69 për qind e kanë nënshkruar marrëveshjen.
"Ky është një lajm i mirë, është një sukses. Është diçka që na lejon të qëndrojmë mbi një bazë vullnetare, që shmang rrezikun e falimentimit nga Greqia,” tha ministri francez i financave Francois Baroin.
Në Gjermani, analisti i tregut, Fidel Helmer, thotë se megjithë marrëveshjen, Greqia mund të gjejnë veten në një situatë të ngjashme pas gjashtë muajsh.
"Greqia duhet të bëhet konkurruese përsëri, ata duhet të vënë në jetë masat shtrënguese, pra është një rrugë e gjatë për rimëkëmbjen ekonomike të Greqisë," thotë analisti i tregut Fidel Helmer.
Sipas tij, Greqia duhet të largohet nga euroja për t'u bërë konkurruese.
"Në afat të gjatë jam skeptik nëse Greqia mbetet në euro, ajo ka nevojë për Dhrahminë për t’u kthyer në treg. Gjithashtu, dhrahmia do të duhet të zhvleftësohet përndryshe Greqia nuk konkuron dot në tregun ndërkombëtar".
Kriza e borxhit e shkaktuar nga mbishpenzimet, ka bërë që Greqia të mbështetet te paketat ndërkombëtare të shpëtimit financiar që nga maji i vitit 2010. Ministri grek i Financave Evangelos Venizelos tha në Parlamentin grek se “kjo ditë është historike, për parlamentin, për popullin, dhe për ekonominë kombëtare.”
Drejtorja menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, tha në një intervistë se ka besim te monedha e përbashkët euro.
"Nuk mendoj se ajo do të ndahet, nuk mendoj se euroja do të bëhet e parëndësishme. Ajo është monedha e dytë rezervë në botë sot, dhe është shumë më e fortë se sa kur u vu në qarkullim 10 vjet më parë. "
Zonja Lagarde tha se beson se Greqia do të arrijë ta realizojë ristrukturimin e borxhit dhe Evropa do t’i kapërcejë problemet e saj ekonomike.