Lidhje

Greqia arrin marrëveshjen për paketën e re të ndihmës


Greqia arrin marrëveshjen për paketën e re të ndihmës
Greqia arrin marrëveshjen për paketën e re të ndihmës

Greqia arriti një marrëveshje e cila i hap rrugë një pakete tjetër ndihme prej 130 miliardë eurosh. Zyra e shtypit e kryeministrit grek dha hollësi për pikat konkrete të marrëveshjes, por është bërë e ditur se ato janë në përputhje me kërkesat e vendosura nga institucionet financiare të Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Drejtori i Bankës Qendrore Europiane deklaroi në një konferencë për shtyp se norma e interesit të huave për Greqinë do të mbetet e pandryshuar, 1%.

Greqia arriti një marrëveshje për shkurtimet buxhetore, që do të bëjnë të mundur dhënien e një kësti kredie prej 130 miliardë eurosh. Marrëveshja u arrit vetëm pak orë përpara mbajtjes së një takimi të rëndësishëm të ministrave të financave në Bruksel.

Pas negociatave të gjata që përfunduan sot në mëngjes, udhëheqësit grekë ranë dakord për të ulur me 22% pagën minimale si dhe për të shkurtuar 15 mijë vende pune në administratën shtetërore. Nuk dihet ende se në ç’masë do të jetë shkurtimi i pensioneve që ishte dhe pika e nxehtë e bisedimeve të cilat zgjatën gjithë natën.

Një zëdhënëse e qeverisë greke tha se marrëveshja e arritur mes shumicës socialiste dhe konservatorëve do të lejojë shkurtime të kombinuara në sektorët për të cilët nuk u ra dakord sot në takimin mes përfaqësuesve të institucioneve financiare europiane dhe qeverisë greke.

Mario Draghi, presidenti i Bankës Qendrore Europiane, e njoftoi arritjen e marrëveshjes gjatë një konference për shtyp në Frankfurt. Ai tha se pala greke pranoi kushtet e marrëveshjes dhe se normat e interesit do të mbeten të pandryshuara, në shifrën 1%. Kjo marrëveshje është e para ndër dy hapat që duhet të ndërrmarë Greqia për të marrë këstin e huasë prej 130 miliardë eurosh. Përveç marrëveshjes me Bashkimin Europian, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, Greqia është pranë marrëveshjes edhe me investitorët privatë për të përgjysmuar borxhin që u ka atyre, që do të thotë një shkurtim prej rreth 100 miliardë eurosh.

Greqia ka nevojë për këstin e ri të ndihmës deri në datën 20 mars në mënyrë që të mund të paguajë këstin prej14.5 miliard eurosh. Vendi është zhytyur në një recesion të thellë dhe papunësia është në shifrat 19.2% .

XS
SM
MD
LG