Lidhje

Greqia e borxheve, ndoshta paqëndrueshmëri politike


Greqia e zhytur në borxhe përballet ndoshta me ditë dhe javë paqëndrueshmërie politike. Pas zgjedhjeve të djeshme, konservatorët e partisë Demokracia e Re udhëheqin me 18.9 për qind dhe 108 të mandate në parlamentin me 300 anëtarë. Votuesit të zemëruar nga shkurtimet buxhetore ndëshkuan politikanët tradicionalë, duke lejuar një grup ekstremist të marrë vende në Parlament.

Asnjë palë nuk ka marrë votat e mjaftueshme për të qeverisur e vetme.

Paqendrueshmëria politike mund të rrezikojë ndihmën jetike ndërkombëtare, sepse livrimi i kredive të shpëtimit do të varet nga zbatimi i shpejtë i reformave dhe i shkurtimeve për të cilat është rënë dakord. Kjo vë gjithashtu në pikëpyetje pjesëmarrjen afat-gjatë të Greqisë në euro.

Në tregjet financiare të Evropës, sot paradite aksionet greke ranë rreth 8 për qind.

Udhëheqësi i partisë Demokracia e Re, Antonis Samaras, i cili mbështet angazhimet e Greqisë për shkurtimin e shpenzimeve, do të fillojë sot bisedime për formimin e koalicionit qeveritar.

Pas marrjes së mandatit nga presidenti Karolos Papulias për të filluar negociatat, Samaras do të ketë tre ditë kohë për të arritur një marrëveshje koalicioni.

Por kjo mund të jetë e pamundur, pasi edhe me mbështetjen e plotë të palës tjetër, socialistëve të PASOK-ut, Demokracisë së Re do t’i duhen edhe dy vende të tjera.

"Është shumë e vështirë të formohet një qeveri e re dhe mundësia për një votim të dytë nuk përjashtohet," thotë analisti politik George Tzogopoulos.

Fituesi i madh i së dielës ishte Koalicioni i Majtë Radikal, i cili u radhit në vendin e dytë me 16.76 për qind ose 52 vende në parlament.

Votuesit e pakënaqur braktisën PASOK-un dhe Demokracinë e Re, dy shtyllat kryesore të politikës greke, duke i lënë ato në nivelin e tyre më të ulët të përfaqësimit që nga viti 1974, kur Greqia doli nga një diktaturë shtatë-vjeçare.

Në vend të tyre, fituese të mëdha dolën partitë e vogla të majta dhe të djathta, duke përfshirë ekstremistët e Agimit të Artë, të cilin refuzojnë etiketimin si neo-nazistë dhe këmbëngulin se janë nacionalistë dhe patriotë.

Kjo lëvizje është fajësuar për sulmet e dhunshme mbi emigrantët dhe ka zhvilluar një platformë anti-imigracion, duke u zotuar se do të "pastrojë" Greqinë dhe duke bërë thirrje për vendosjen e minave përgjatë kufijve të vendit.

Partia ka fituar rreth 7 për qind të votave, një përmirësim i ndjeshëm nga 0.29 për qind në vitin 2009 – duke siguruar 21 vende në parlament.

Tzogopoulos e cilëson rritjen e popullaritetit të së djathtës ekstreme si "problem" për Greqinë.


"Shumë njerëz e kanë lidhur këtë ngritje me problemin e emigracionit. Analiza është e thjeshtë. Problemi është shumë më i gjerë dhe ai pasqyron zemërimin e qytetarëve grekë me politikanët tradicionalë, dhe nuk do të thotë se ata mbështesin parimet e ekstremit të djathtë" thotë analisti.

Rezultati i së dielës tregoi zemërimin e gjerë publik për masat shtrënguese ekonomike të imponuara gjatë dy viteve të fundit në këmbim të kredive të shpëtimit nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG