Lidhje

Gruevski, Ahmeti komentojnë ngjarjet e fundit


Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, duke komentuar ngjarjet e ditëve të fundit në vend, tha sot se asnjë shtet nuk i mbështet protestat e dhunshme.
Ai tha se “shteti dhe institucionet kanë kapacitet të përballen me këtë lloj situate, por edhe me situata edhe më të këqija”.

Ai bëri të ditur se Ministria e Rendit po e kryen në mënyrë profesionale detyrën dhe se nuk do te lejohet që protestat të shkallëzohen në atë masë sa që të rrezikohen interesat e qytetarëve, të institucioneve dhe marrëdhëniet ndëretnike.

Kryeministri maqedonas Gruevski vlerëson se ekzistojnë grupe të ndryshme të cilat përpiqen t’i hedhin zjarr benzinës për motive personale, siç u shpreh ai.

Ndërkohë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha sot pas një takimi me ambasadorin amerikan Paul Wohlers, se dhuna nuk e ndihmon zgjidhjen e rastit të të dënuarve. Ai bëri të ditur se BDI do të kërkojë vëzhgimin nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë të procesit në Gjykatën e Apelit, për ta kthyer atë në shkallën e parë.

Sot, ndërkohë, protesta të qeta pati në qytetin e Strugës. Pjesëmarrësit në protestë kërkuan drejtësi dhe liri për të pafajshmit, siç konsiderojnë ata, në procesin e ashtuquajtur “Monstra”, ku u dënuan gjashtë shqiptarë me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë, analistët po debatojnë nëse protestat e së premtes, të cilat filluan të qeta dhe u shndërruan në dhunë, ishin devijuar nga njerëz të infiltruar në turmë, për synime politike, fetare apo të tjera.

XS
SM
MD
LG