Juan Guaido, i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe 50 vende të tjera si Presidenti i përkohshëm i Venezuelës, paralajmëroi ushtrinë se moslejimi i hyrjes në vend të ndihmave humanitare është “një krim ndaj njerëzimit” dhe se ata gjenden pranë kryerjes së genocidit.
“Ka përgjegjës për këtë gjë dhe regjimi e di. Burra të forcave të armatosura, ky është një krim ndaj njerëzimit”, - deklaroi të dielën Juan Guaido. Ai ua drejtoi këto fjalë ushtarëve të dislokuar në një urë që lidh Venezuelën me Kolumbinë.
Ngarkesat amerikane me ushqime, ilaçe dhe ndihmë humanitare gjenden në anën kolumbiane, ndërkohë që një autobot dhe dy kontenierë të mëdhenj janë vendosur në mes të urës duke e bllokuar kështu kalimin.
Presidenti venezuelian Nicola Maduro ka urdhëruar ushtarët të mos lejojnë kalimin e ndihmave. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara janë pjesë e një puçi për rrëzimin e qeverisë së tij dhe se Venezuelës nuk i nevojiten këto ndihma.
Por, një mjek venezuelian që mori pjesë në një protestë të dielën akuzoi Maduron se e ka ulur nivelin e ilaçeve në Venezuelë në nivel “mesjetar”.
Të dielën, Maduro u shfaq në televizionin shtetëror duke treguar sisteme të mbrojtjes kundërajrore dhe armë të tjera, duke deklaruar se ato do t’i bëjnë qytetet venezueliane “të paprekshme”.
“Ne jemi një popull pacifist, për sa kohë nuk na bie njeri më qafë. Ai Donald Trump-i nuk na kërcënon dot”, tha Maduro. “Donald Trump, dil jashtë nga Venezuela. Këtu ka forca të armatosura dhe një popull që mbron nderin e tij, dinjitetin dhe lirinë”.
Presidenti Donald Trump nuk ka përjashtuar ushtrimin e forcës ushtarake amerikane në Venezuelë, por nuk ka dhënë detaje për rrethanat në të cilat ai do të dërgonte atje forca amerikane.
Facebook Forum