Lidhje

Shtëpia e Bardhë për kontrollin e armëmbajtjes


Nënpresidenti amerikan Joe Biden takohet sot me zyrtarë të Shoqatës Kombëtare të Armëve

Nënpresidenti amerikan Joe Biden takohet sot me zyrtarë të Shoqatës Kombëtare të Armëve, organizata më e madhe e pronësisë së armëve në vend, në vazhdën e diskutimeve për çështjen e dhunës nga armët.

“Unë dhe Presidenti jemi të vendosur të marrim hapa. Kjo nuk është thjesht një mundësi për të dalë para kamerave apo për t’ju pyetur për mendimet tuaja. Ne jemi shumë të interesuar të dimë se ç’mendoni. Dhe siç tha Presidenti, sikur masat tona të shpëtojnë edhe vetëm një jetë të vetme, ia vlen që t’i zbatojmë”.

Zoti Biden u takua dje në Shtëpinë e Bardhë me grupe për sigurinë nga armët dhe anëtarë të familjeve të viktimave nga plagët e armëve. Ai thotë se së bashku me Presidentit Barack Obama po shqyrton një sërë masash, përfshirë ligje të reja dhe urdhra ekzekutivë.

Zoti Obama zgjodhi nënpresidentin Biden për të drejtuar një përpjekje për të krijuar një numër propozimesh për pakësimin e dhunës nga armët, pas tragjedisë në një shkollë fillore në Connecticut muajin e kaluar, kur u vranë 20 fëmijë dhe gjashtë të rritur.

Masakra e rindezi debatin e nxehtë për kontrollin e armëve në Shtetet e Bashkuara.

Edhe ish-Presidenti Bill Clinton u përfshi në këtë debat dje, kur foli kundër kulturës së armëve në vend.

“Unë jam rritur me kulturën e gjuetisë, por kjo është çmenduri. Pse duhet t’i duhet dikujt të ketë një armë që qëllon me breshëri, për çfarë i duhet njeriut një armë me 100 plumba? Ai që hapi zjarr në Colorado kishte një armë të tillë. Gjysma e vrasjeve në masë në Shtetet e Bashkuara ka ndodhur që kur aktit të ndalimit të armëve të sulmit i skadoi afati në vitin 2005”.

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti do që Kongresi të vendosë kufizime më të rrepta ndaj armëve të sulmit dhe karikatorëve me shumë fishekë dhe të mbyllë hendeqet në sistemin e kontrollit të të dhënave për pronarët e armëve.

XS
SM
MD
LG