Lidhje

Guterres kryeson garën për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së


Në garën për diplomatin më të lartë në botë, ish-Kryeministri portugez, Antonio Guterres duket se është në pozitën më të mirë për të fituar.

Sot, në raundin e pestë të votimit informal të Këshillit të Sigurimit OKB-së, Guterres doli i pari, për herë të pestë radhazi. Ai ishte kandidati i vetëm që mori minimumin prej nëntë votash. Ai mori 12 vota në mbështetje të kandidaturës së tij, dy vota kundër dhe një abstenim.

Shumë diplomatë besojnë se një nga dy votat kundër zotit Guiterres ishte nga Zelanda e Re, e cila është duke u përpjekur të rrisë shanset e ish-kryeministres së vendit Helen Clark, e cila është në garë për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, por deri më tani ka patur një paraqitje zhgënjyese. Në votimin e sotëm ajo doli e fundit.

Pyetja më e madhe mbetet nëse një anëtar i Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje ka votuar kundër zotit Guterres. Disa kanë spekuluar se Rusia mund të bllokojë zgjedhjen e zotit Guterres, një diplomat nga Evropa Perëndimore, në favor të një kandidati nga Evropa Lindore.

Evropa Lindore ka paraqitur gjashtë kandidatë në garë, me arsyetimin se ky është rajoni i vetëm që nuk e ka mbajtur postin dhe shpreson ta marrë atë më 1 janar 2017.

Kandidati nga ky rajon që mori më shumë vota, ishte ish-ministri i jashtëm serb Vuk Jeremiç, i cili doli i dyti me 8 vota. Ai në këtë raund la pas ministrin e jashtëm sllovak Miroslav Lajcek, i cili në randin e mëparshëm doli i dyti.

Por, asnjëri prej tyre nuk arriti të siguronte mbështetje minimale prej tetë votash.

Këshilli i Sigurimit do të mbajë një votim tjetër, ndoshta më vendimtar, më 5 tetor. Gjatë këtij votimi, anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, do të votojnë. Pasi këto vende kanë të drejtën e vetos, votat e tyre mund t’i shuajnë aspiratat e kandidatëve për të cilët ato votojnë kundër.

XS
SM
MD
LG