Lidhje

Hagë, gjykata vendos për Srebrenicën


Një gjykatë civile në Hagë e liroi Hollandën nga përgjegjësia për vdekjen e shumicës prej 8 mijë muslimanëve të Bosnjes, të vrarë në masakrën e Srebrenicës 19 vjet më parë - por dha urdhër që ky vend të kompensojë familjet e më shumë se 300 burrave, të cilët iu dorëzuan forcave serbe të Bosnjës dhe më pas u vranë.

Në vendimin e saj, një gjykatë civile në Hagë tha se paqeruajtësit hollandezë të OKB-së duhet të kishin dijeni se burrat e dëbuar nga kompleksi i trupave të Hollandës prej forcave serbe të Bosnjes më 13 korrik 1995 do të vriteshin, sepse në atë kohë ekzistonin prova që dëshmonin për krime lufte nga ana e serbëve.

Viktimat ishin pjesë e mijëra muslimanëve të vrarë kur forcat serbe, të Bosnjes të komanduara nga gjenerali Ratko Mlladiç, pushtuan qytetin e Srebrenicës më 11 korrik 1995, ngjarje që do të shënonte kulmin e luftës së përgjakshme në Bosnje mes viteve 1992-95, ku humbën jetën 100.000 njerëz.

Dy ditë më vonë, paqeruajtësit hollandezë, që ishin më të paktë në numër, iu përulën trysnisë së trupave të Mlladiçit dhe detyruan mijëra familje myslimane të largoheshin nga kompleksi i tyre që mbrohej me gardh.

Forcat e serbëve të Bosnjes i ndanë myslimanët në bazë të gjinisë, pastaj i morën meshkujt me kamionë dhe filluan ekzekutimin e tyre.

Trupat pa jetë u hodhën në varre masive të hapura me ngut, dhe kjo është cilësuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.

Por vendimi i gjykatës civile i liron trupat hollandeze nga përgjegjësia për vrasjen e mijëra burrave muslimanë të Bosnjes, të cilët ikën për t'u fshehur në pyjet përreth Srebrenicës dhe më pas u rrethuan e u vranë. Gjykata deklaroi se "forcat hollandeze nuk mund të mbahen përgjegjëse për fatin e këtyre njerëzve".

Të afërmit e të vrarëve e përshëndetën faktin që gjykata përcaktoi një pjesë të përgjegjësisë, por u ankuan që ajo nuk shkoi më tej:

Munira Subasiç, është Presidente e grupit "Nënat e Srebrenicës".

"Nuk mund t'i thuash një nëne që, për njërin prej djemve të saj u gjet se kush mbante përgjegjësi, ndërsa për djalin tjetër që ndodhej në të njëjtën bazë paqeruajtësish përgjegjësia nuk u gjet. Beteja për drejtësinë dhe të vërtetën ende vazhdon," tha zonja Subasiç.

Nicholas Whyte, drejtor i një grupi këshillues në Bruksel, tha se vendimi i gjykatës "nënkupton se në të ardhmen paqeruajtësit ndërkombëtarë nuk do të mund të veprojnë jashtë ligjit".

"Kjo me siguri do t'i bëjë njerëzit të mendojnë me shumë kujdes kur dërgojnë trupa në zonat e konfliktit, por unë mendoj se vendet e ndryshme duhen mbajtur përgjegjëse për vendimet në politikat publike dhe për gabimet në politika të tilla," tha ai.

Gjykata nuk tha se sa kompensim duhet të marrin familjet.

Një avokat që përfaqëson të afërmit e viktimave tha se do të studiojë me kujdes vendimin prej 89-faqesh përpara se të vendosë nëse do ta apelojë çështjen.

XS
SM
MD
LG