Lidhje

Sek. Hagel për marrëveshjen e armëve me Izraelin


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel thotë se një marrëveshje e rëndësishme armësh mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit i dërgon një "sinjal shumë të qartë" Iranit se aktiviteti ushtarak vazhdon të jetë një alternativë e mundshme për ta parandaluar Teheranin që të zhvillojë ose përdorë armët bërthamore.

Sekretari Hagel u pyet mbi këtë çështje sot, ndërsa aeroplani i tij i afrohej Tel Aviv në fillim të një turneu 6 ditor në rajon. Gjatë kësaj vizite ai do të përqëndrohet në shitjen e armëve Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite si dhe në bisedimet mbi Iranin dhe Sirinë.

I pyetur nëse Izraeli mund të konsiderojë një sulm ushtark ndaj Iranit, zoti Hagel tha se “Izraeli do të marrë vendimet që i duhen për t’u mbrojtur”. Por ai shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera ende besojnë se është koha për negociata dhe sanksione të rrepta që të kenë ndikim për planet bërthamore të Iranit. Ai tha se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara mund të kenë mendime të ndryshme për çështjen e kohës.

Pas vizitës në Izrael, zoti Hagel ka në plan të shkojë në Jordani, Arabinë Saudite, Egjipt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, vende këto aleate të Amerikës në Lindjen e Mesme të shqetësuara rreth trazirave në Siri.
XS
SM
MD
LG