Lidhje

Përgjigja ndërkombëtare ndaj krizës në Siri


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon thotë se personeli i OKB-së do të fillojë inspektimin e vendit ku dyshohet se është kryer një sulm masiv kimik pranë Damaskut të hënën. Me anë të një deklarate, zoti Ban tha se qeveria siriane kishte rënë dakord të “jepte bashkëpunimin e nevojshëm” për ekipin e OKB-së për të hetuar incidentin e 21 gushtit. Zoti Ban tha se bashkëpunimi përfshin ndërprerjen e luftimeve në zonën e sulmit.

Një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Obama nuk i dha shumë rëndësi ofertës së qeverisë siriane për të lejuar inspektorët e OKB-së që të vizitojnë zonën, duke e quajtur “tepër të vonuar për të qenë e besueshme”. Zyrtari amerikan tha se ka “fare pak dyshim” që forcat besnike të Presidentit Bashar al-Assad kishin përdorur armë kimike kundër civilëve në rrethinën e Ghoutës.

Zyrtari tha se të dhënat në dispozicion për sulmin “janë komprometuar në masë të konsdiderueshme si rezultat i bombardimit të vazhdueshëm nga ana e regjimit dhe veprimeve të tjera ndërkombëtare gjatë pesë ditëve të fundit”. Në një deklaratë të veçantë, qeveria siriane u zotua të bashkëpunonte me të dërguarën për çarmatimin Angela Kane, për të caktuar një datë për inspektimin.

Ndërkohë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel tha sot në Malajzi se ushtria po përgatitet të veprojë kundër Sirisë, nëse Presidenti Barack Obama vendos të veprojë rreth gjendjes së krijuar. Sekretari Hagel tha sot gjatë një vizite në Malajzi se Uashingtoni dhe aleatët e tij po vazhdojnë shqyrtimin e alternativave të tyre se si të reagojnë ndaj provave për përdorimin e armëve kimike në Siri.

Sekretari i Mbrojtjes Hagel nuk dha asnjë shenjë rreth mundësisë së një përgjigjeje amerikane ndaj njoftimeve për përdorimin e armëve kimike në Siri.
Duke folur në Malajzi, zoti Hagel tha se administrata Obama ende po vlerëson informacionet e zbulimit rreth një sulmi të mundshëm të mërkurën e kaluar në një lagje periferike të Damaskut.

“Po bëhen të gjitha vlerësimet dhe ato do të ndikohen nga faktet që rezultojnë prej vlerësimeve të bëra nga agjencitë e zbulimit. Gjithnjë shqyrtohen një numër faktorësh kur një vend analizon mundësinë e ndërhyrjes për një sfidë të madhe”.

I pyetur rreth alternativave ushtarake amerikane për Sirinë, Sekretari Hagel foli me fjalë të përgjithshme rreth faktorëve, që po shqyrton Presidenti Obama.

“Presidenti Obama i ka kërkuar Pentagonit që të përgatisë alternativat për të gjitha kontigjentet. Ne e kemi bërë këtë dhe jemi të përgatitur të ushtrojmë çdo lloj opcioni nëse Presidenti vendos të vërë në zbatim njërën prej tyre”, tha ai.

Zoti Hagel i bëri këto komente në një konferencë shtypi pasi u takua me homologun e tij malajzian, Hishamuddin bin Tun Hussein, në ndalesën e parë të turneut një javor në Azinë juglindore.

Televizioni shtetëror sirian akuzoi forcat kryengritëse për ndërmarrjen e sulmit me armë kimike. Transmetimet e medias shtetërore thonë se armë kimike ishin zbuluar në tunele që kontrolloheshin nga forcat kryengritëse. Media qeveritare pretendon se kryengritësit i përdorën këto armë si mjeti i fundit që kishin në dispozicion, pasi ofensiva qeveritare i ka vënë nën presion.

Lëvizja kryengritëse në Siri fajëson forcat qeveritare për sulmin ndaj lagjeve periferike të kontrolluara nga kryengritësit në kundërpërgjigje për një tentativë për atentat ndaj Presidentit Bashar al-Assad në fund të muajit të Ramazanit.
XS
SM
MD
LG