Lidhje

Trump-Moon, pro sanksioneve të forta të OKB ndaj Phenianit


Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij në Seul ranë dakord të hënën të heqin kufizimet ndaj Koresë së Jugut për kapacitetin e raketave dhe të angazhohen për sanksione edhe më të forta në Kombet e Bashkuara kundër Koresë së Veriut.

Dy udhëheqësit zhvilluan një bisedë 40 minutëshe, një ditë pasi Koreja e Veriut zhvilloi atë që thuhet se ishte provë e armës së saj të re termo-bërthamore.

Sipas një njoftimi për shtyp të zëdhënësit presidencial të Koresë së Jugut dy udhëheqësit diskutuan në thellësi mbi masat kundër provës të gjashtë bërthamore të Koresë së Veriut.

Zyrtarët e qeverisë në Seul u thanë gazetarëve se Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in bëri gjithashtu thirrje që Kombet e Bashkuara të marrin në konsideratë mundësinë e bllokimit të dërgesave me naftë në Veri.

Sipas ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley, Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë këtë javë një projekt-rezolutë të re lidhur me Korenë e Veriut dhe do të kërkojnë që ajo të hidhet në votë më 11 shtator.

Presidenti Moon zhvilloi më pas një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, sipas të cilit e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën në gadishullin Korean është përmes diplomacisë dhe bisedimeve.

Presidenti Trump ka shprehur pakënaqësinë e tij jo vetëm ndaj Phenianit, por edhe Seulit.

Pas provave të fundit me raketa, zoti Trump kritikoi qeverinë e zotit Moon për ato që i cilësoi si "bisedime pajtimi".

Presidenti amerikan dhe disa anëtarë kyç të kabinetit të tij vazhdojnë të paralajmërojnë Phenianin për një reagim masiv ushtarak, nëse ai kërcënon drejpërdrejt Shtetet e Bashkuara ose aleatët e saj.

Zoti Trump dhe sekretari i Thesarit Steven Mnuchin u zotuan të ndalojnë tregtinë me çdo vend që bën biznes me Korenë e Veriut, një masë që do të synonte kryesisht fqinjin e Phenianit dhe partnerin kryesor tregtar të tij, Kinën.

Po të hënën, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, foli me terma të forta në adresë të Koresë së Veriut, pas aktit të së dielën kur besohet se Pheniani vuri me sukses në provë një bombë termo-nukleare me hidrogjen.

Diplomatja amerikane foli gjatë sesionit urgjent të Këshillit të Sigurimit sot në Nju Jork, ku tha se duhet përdorur çdo mjet i mundshëm diplomatik para se të jetë tepër vonë. Ajo bëri thirrje për masat më të forta të mundshme diplomatike. “Udhëheqësi i Koresë së Veriut – tha zonja Haley – po lutet që të shpërthejë lufta. Shtetet e Bashkuara nuk duan luftë, por durimi ynë ka një kufi,” tha ajo.

Sipas zyrtarëve të Koresë së Jugut, Pheniani po përgatitet për një provë tjetër me raketë balistike.

Dje Pheniani njoftoi se kishte realizuar me sukses një provë një bombë me hidrogjen që mund të hidhet me një raketë ndërkontinentale. Një zyrtar i shërbimeve amerikane të zbulimit tha se nuk ka asnjë dyshim që Pheniani ka vënë në provë një armë bërthamore 10 herë më të fuqishme se arma që vuri në provë një vit më parë.

Ndërkohë në takimin e Këshillit të Sigurimit, ambasadori kinez në Kombet e Bashkuara tha se Pekini nuk do të lejojë destabilitet në rajon. Ai tha se çdo veprim duhet të merret në koordinim me Rusinë dhe Kinën, dy vende shumë të rëndësishme në atë pjesë të globit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG