Lidhje

Perspektiva e udhëtimeve në hapësirë


Hapësira është kufiri i fundit për njerëzimin. Dikur e eksploruar vetëm nga qeveritë e pasura, tashmë hedhja e raketave në hapësirë është shndërruar në diçka të zakonshme, ndërsa kërkesa për satelitë komunikimesh dhe shërbime imazhesh rritet. Sot, hapësira është një industri 200 miliardë dollarëshe, një shembull sesi partneriteti mes qeverisë dhe sektorit privat po ndihmon për të ulur kostos dhe njëkohësisht për të kuptuar më mirë botën.

Me fillimin e vitit, biznesi i hapësirës duket se po lulëzon për Korporatën e Shkencave Orbitale që të enjten lëshoi raketën Antares për të dërguar një nga tetë ngarkesat në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Kjo kompani është një nga dy firmat amerikane me të cilat NASA ka lidhur kontratë për të dërguar furnizime në pikën kërkimore të hapësirës, 400 kilometra mbi tokë.

Kompania pioniere në hedhjen private të raketave Arianespace, që lëshoi satelitin e parë para tre dekadash, thotë se 2014-a duket se do të jetë vit rekord. Clayton Mowry drejton sektorin amerikan të konsorciumit privat evropian të hapësirës.

“Vitin e kaluar ne dërguam në hapësirë tetë raketa dhe shpresojmë të thyejmë këtë vit rekordin që aktualisht është 10. Plani ynë është që këtë vit të lëshojmë 13 raketa”.

Zoti Mowry thotë se rritja e numrit të hedhjes së raketave i atribuohet pjesërisht rritjes së kërkesës për teknologjinë me bazë hapësirën që nga transmetimet me qartësi të skajshme e deri tek sinjalet satelitore.

Por megjithë nevojën për më shumë satelitë civilë, fundi i programit të anijeve të hapësirës së NASA-s në vitin 2011 ka pasur një efekt frenues në komunitetin e hapësirës.

Janice Starzyk tek Shërbimet Ndërkombëtare të Hedhjes së Raketave, drejton nismat edukative tek Tryeza e Rrumbullakët e Biznesit të Hapësirës.

“Ndërprerja e programit të anijeve të hapësirës solli humbje pune për shumë vetë në industri”.

Por ndërsa NASA po pakëson aktivitetin në hapësirë, vende të tjera po përpiqen të mbushin zbrazëtirën e krijuar. Në dhjetor, Kina u bë vendi i tretë që dërgoi një anije hapësire në hënë. Këtë muaj, India lëshoi në hapësirë satelitin e parë të komunikimeve.

Dhe në Danimarkë, dy të apasionuar pas hapësirës po përpiqen të provojnë se udhëtimi i hapësirës është i përballueshëm. Me dhurime publike, Kristian Von Bengston, bashkëthemelues i Suborbitals të Kopenhagës, shpreson të realizojë një ëndërr fëmijërie për të lëshuar 100 km në hapësirë një raketë artizanale.

“Gjithkush mendon se fluturimi në hapësirë mund të bëhet vetëm po të kesh miliarda dollarë dhe të jetë i financuar nga qeveria. Shpresoj që të mund të demonstrojmë se mund ta bësh edhe me një buxhet minimal, madje mund ta realizosh vetë”.

Synimi i tij është që të lëshojë një raketë me njeri brenda në hapësirë deri në vitin 2020.

Por në vitin 2014, Janice Starzyk thotë se objektivi i Tryezës së Rrumbullakët të Biznesit të Hapësirës është që të inkurajohen më shumë studentë që të ndjekin karriera të lidhura me hapësirën.

“Në fakt është një problem i madh në shumë vende që t’u zgjosh të rinjve interesin për të studiuar inxhinierinë, veçanërisht atë të hapësirës”.

Ajo thotë se ndërsa kërkesa për lëshimin e raketave rritet, po ashtu rritet edhe kërkesa për talente të reja.

Pjesëmarrja në programin e akademisë së hapësirës së organizatës është rritur në mënyrë të konsiderueshme gjatë tre viteve të fundit, duke vërtetuar edhe një herë se përsa i takon hapësirës, kufijtë janë joekzistues.
XS
SM
MD
LG