Lidhje

Haradinaj lirohet përkohësisht nga Haga


Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë, ka vendosur që ta lirojë përkohësisht ish kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Njoftimi u konfirmua nga mbrojtja e zotit Haradinaj, por ende nuk janë dhënë hollësi rreth kushteve të këtij lirimi.

Më 2 maj Gjykata vendosi që më 25 dhe 26 qershor të këtij viti, të mbahen seancat përmbyllëse të procesit gjyqësor kundër ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe dy ish bashkëluftëtarëve të tij.

Gjykata ka kërkuar që deklaratat përfundimtare të prokurorisë dhe të mbrojtjes të paraqiten me shkrim deri më 11 qershor.

Ish kryeministri Haradinaj, i cili qe shpallur i pafajshëm në prill të vitit 2008, u nxor sërish në gjykatën e Hagës për krime lufte për një rigjykim të pjesshëm bashkë me dy ish bashkëluftëtarët e tij, Idriz Balaj e Lahi Brahimaj. Të tre akuzohen për vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës.

Zoti Haradinaj u rikthye në rigjykim në korrik të vitit 2010. Vendimi për rigjykim të pjesshëm është i pari i këtij lloji në veprimtarinë 19 vjeçare të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë

XS
SM
MD
LG