Lidhje

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në Shkup


Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili po qëndron në Shkup në kuadër të një “Samiti digjital te Ballkanit perëndimor”, u takua me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, me të cilin kanë biseduar për marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje.

Ata kanë folur edhe për raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian, ndërsa kanë theksuar se vendet e rajonit duhet të vazhojnë me reformat për realizimin e të gjitha rekomandimeve për procesin e integrimeve evropiane.

Dy kryeministrat janë shprehur se Kosova dhe Maqedonia ndajnë vlera të përbashkëta dhe punojnë me përkushtim për të ardhmen e përbashkët. Ata kanë vlerësuar se duhet ndryshuar për të mirë raportet e dyanshme dhe të përgjithshme në rajon dhe se për këtë duhet bërë hapa të guximshëm drejt së ardhmes dhe jo kah e kaluara, sipas një komunikate nga kryeministria maqedonase.

Haradinaj dhe Zaev kanë biseduar edhe për forcimin e shkëmbimit tregtar midis vendeve të tyre dhe për bashkëpunimin ekonomik përmes projekteve konkrete siç janë “one stop shop” në pikat kufitare dhe projekte të ngjashme infrastrukturore.

Maqedonia ende nuk e ka filluar projektin e autostradës Shkup-Bllacë në kufi me Kosovën, ndërsa planet janë që punimet të nisin nga muaji shtator, ndërkohë që Kosova është në përfunim e sipër të autostradës që e lidh Prishtinën me Shkupin.

Kryeministrat Haradinaj, Zaev dhe Zvizdiç i Bosnjës janë takuar për drekë me komisionerin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili shkoi në Shkup për ta dorëzuar raportin e progresit që rekomandon hapjen e bisedimeve me Maqedoninë.

Në darkë, kryeministrat e rajonit takohen me përfaqësuesen e lartë të Komisionit Evropian, Federica Mogherini e cila pas Tiranës, ndalesën e radhës e ka në Shkup.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG