Lidhje

Harper: Kanadaja nuk trembet nga terroristët


Kryeministri i Kanadasë Stephen Harper tha se vendi i tij nuk do të frikësohet kurrë nga terroristët. Ai i bëri komentet pas incidentit të djeshëm, ku një person i armatosur vrau një ushtar në Otavë dhe pastaj sulmoi parlamentin para se të qëllohej për vdekje.

Në një fjalim televiziv mbrëmë, Kryeministri Harper tha se sulmi i së mërkurës, së bashku me një tjetër incident gjatë kësaj jave që çoi në vdekjen e një ushtari, vjen si një kujtesë e zymtë se Kanadaja nuk është imune ndaj terrorizmit.

"Kanadaja nuk do të frikësohet. Në fakt, kjo do të na bëjë të forcojmë vendosmërinë dhe të dyfishojmë përpjekjet tona si dhe ato të agjencive të sigurisë kombëtare për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që të identifikojmë dhe sprapsim kërcënimet për ta mbajtur Kanadanë të sigurt. Kjo do të na bëjë gjithashtu të forcojmë vendosmërinë dhe të dyfishojmë përpjekjet për të punuar me aleatët tanë në botë dhe për të luftuar kundër organizatave terroriste në vende të tjera që vrasin egërsisht me shpresën për ta sjellë egërsinë e tyre në brigjet tona. Ata nuk do të kenë kurrë një strehë të sigurt.

Dje, pak çaste pasi rezervisti i ushtrisë Nathan Cirillo u qëllua për vdekje, në Parlament u dëgjuan dhjetra të shtëna. Rezervisti po ruante përmendoren Kombëtare të Luftës, kur u qëllua.

"Isha duke hequr xhaketën për të shkuar në mbledhjen e grupit parlamentar, kur dëgjova të shtënat. Mund të ishin 10 të shtëna, nuk e di me siguri. Mendova se ishte dinamit, ose zhurma ndërtimi," tha deputeti liberal John McKay.

Shumë njerëz ikën nga kompleksi duke zbritur nga skelat e ngritura për rinovime, ndërsa të tjerët u ngujuan brenda, duke bllokuar dyert me karrige. Policia me pushkë dhe me xhaketa anti-plumb zuri pozicione jashtë dhe bllokoi rrugët rreth Parlamentit, që zakonisht janë plot me njerëz.

Policia tha se personi që sulmoi, 32-vjeçari Michael Zehaf-Bibeau, ish-i dënuar, u qëllua dhe u vra nga rreshteri Kevin Vickers, pranë sallave ku mblidhen deputetët në Dhomën e Komuneve.

Sulmet vijnë dy ditë pasi një person me makinë i konvertuar në mysliman, përplasi dy ushtarë kanadezë pranë Montrealit, duke lënë të vdekur njërin.

Këtë javë, Kanadaja ka ngritur nivelin e kërcënimit terrorist nga i ulët në të mesëm, për shkak të rritjes së aktivitetit të përgjithshëm nga grupe të tilla radikale si Shteti Islamik dhe al-Kaida, edhe pse nuk ka ndonjë kërcënim konkret.

Presidenti amerikan Barak Obama foli në telefon me zotin Harper, pas sulmeve të djeshme dhe tha se ishte e rëndësishme që autoritetet amerikane dhe kanadeze të anti-terrorizmit të vazhdojnë të punojnë në bashkërendim të ngushtë.

Zoti Obama i dënoi sulmet ndaj forcave kanadeze, dhe i ka ofruar Kanadasë çdo ndihmë për të cilën ajo mund të ketë nevojë nevojë, në përgjigje të gjendjes.

XS
SM
MD
LG