Lidhje

Harry Bajraktari tregon jetën në Amerikë


Me Harry Bajraktarin
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:05:39 0:00

Harry Bajraktari është një biznesmen në Bronks të Nju Jorkut. Ai ka ardhur këtu dekada më parë nga Kosova dhe, si shumë shqiptaro-amerikanë të tjerë, e ka gjetur suksesin në biznesin e pronave të patundshme. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në zyrat e zotit Bajraktari dhe përgatiti një material.

Me Harry Bajraktarin
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:05:39 0:00

Në vitet 70, kur zoti Bajraktari u vendos këtu, investimi ishte me leverdi. Ai dhe familja e tij ishin ndër ata që përfituan nga kushtet e favorshme.

"Ne vijmë nga rrethi i Pejës, fshati ynë quhet Vranoc, nja shtatë kilometra nga Peja. Kemi ikur nga Kosova në vitin 1969," tregon zoti Bajraktari.

Ai thotë se familja e tij ka patur shumë fat që ka filluar këtu. "E kemi nisur me pak dhe në vitet 78-79-80 kemi blerë ndërtesa," tregon ai.

Biznesi i tij punëson pothuajse të gjithë familjen.

Ai e vizitoi Kosovën vetëm disa muaj pasi kishte mbaruar lufta, në vitin 1999.

"Në fshatin tim, dymijë e ca njerëz na kanë pritur. 90 përqind e fshatit ka qenë e djegur në atë kohë," kujton zoti Bajraktari.

Ai nuk ngurroi të investojë në vendlindje.

"Në 2005-2006 kemi blerë në Pejë qendrën tregtare; kemi blerë dy fabrika, një e drurit, një metalike në Pejë. Kemi blerë edhe verarinë e Rahovecit me emrin Stone Castle. Kemi qenë ortakë me dajën tim Rrustem Gecaj. Pas një kohe e kemi ndarë biznesin. Rrustemi ka verarinë Stone Castle ndërsa unë kam bizneset në Pejë."

Ata investuan rreth 40 milionë dollarë në këto biznese, të cilat sot punësojnë me qindra njerëz.

Ka shumë shqiptaro-amerikanë që duan të investojnë në Kosovë, por ende ngurrojnë:

"Unë mendoj se disapora nga jashtë mund të kontribuojë shumë në trojet shqiptare, por duhet të krijohet një atmosferë, ku rregulli i ligjit, prona private të respektohet, ku të mbrohen nga qeveria njerëzit që investojnë."

Zoti Bajraktari thotë se disa kanë frikë të investojnë në Shqipëri e në Kosovë, sepse mund t'u shkojë më shtrenjtë.

"Më lirë është bregdeti në Florida, në North Carolina, South Carolina, Georgia e në shtetet buzë Atlantikut se sa në Shqipëri, për shembull. Kur shkon në Shqipëri për të bërë një investim, të shkon më shtrenjtë, sepse toka nuk e ka kanalizimin, rrymën, rrugën apo aeroportin. Ka leverdi të investosh, por duhet krijuar atmosfera."

"Kur erdhëm në këtë vend nuk kishim të holla, babai punonte në pastrim ditën, nëna punonte në pastrim në mbrëmje. Kishim 3-4 mijë dollarë borxh, ishim familje e madhe," tregon Harry Bajraktari.

Sot, pas shumë vite përpjekjesh, biznesi ka ecur. Por nuk ka qenë vetëm biznesi peokupimi i tij. Gjatë këtyre dekadave, zoti Bajraktari dhe familja e tij kanë ndihmuar komunitetin dhe vendlindjen, kanë krijuar miqësi në qarqet e politikës për të lobuar në favor të Kosovës.

"Unë them se ka ndodhur një mrekulli për mua dhe për familjen time që gjendemi në Amerikë. Ky vend është i bekuar për ata që duan të punojnë."

XS
SM
MD
LG