Lidhje

Haxhillëku në Mekë dhe siguria


Rreth 1,5 deri në 2 milion myslimanë janë në pelegrinazhin vjetor për në Mekë, që njihet si Haxh, ose haxhillëk. Ky numër është shumë më pak se ai i një viti më parë, ndërsa autoritetet saudite përpiqen ta mbajnë ritualin të izoluar nga tensionet e vendeve të tjera të Lindjes së Mesme, dhe nga rreziku i një virusi që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 50 personave në mbretërinë saudite.

Sot, kur muslimanët janë të mbërthyer në konflikte në disa vende të Lindjes së Mesme, ky pelegrin nga Siria ofron lutjen e tij për bashkim:

“Ne u larguam nga shtëpitë tona dhe fëmijët tanë u vranë, kështu që i lutem Zotit në këtë ditë të shenjtë të na lirojë nga vuajtjet.”

Megjithatë, Haxhi u duk se filloi pa ndërprerje të mëdha. Disa njerëz mund të kenë ankesa politike, thotë eksperti i terrorizmit, skocezi Stephen Vertigans nëpërmjet Skype-it:

“Por shumica e njerëzve që shkojnë atje po shkojnë për shkak të fesë së tyre, për t’u bashkuar me myslimanë të tjerë, për të shprehur besimin e tyre nëpërmjet ritualeve të ndryshme.”

Edhe pa tensionet politike, kontrolli i turmës është një sfidë e madhe. Vitet e kaluara janë karakterizuar nga kaosi dhe një pushtim terrorist në 1979-ën.

Këtë vit, një virus i rrugëve të frymëmarrjes i përqëndruar në Gjirin Persik i mbajti larg shumë nga pelegrinët. Virusi ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 50 vetave në Arabinë Saudite.

Qeveria saudite uli kuotat edhe për shkak të punës për zgjerimin e Xhamisë së Madhe.
Por sauditët do të jenë nën presion për t’i hequr kuotat, për t’u dhënë sa më shumë myslimanëve mundësinë për të shkuar, thotë zoti Vertigans.

“Nëse po e pakësojnë atë mundësi për arsye politike dhe jo shëndetësore apo arsye sigurie, ata do të kritikohen mjaft në komunitetet dhe vendet myslimane,”-thotë analisti.

Haxhi përfundon me festën e Eid Al Adha, dhe muslimanët në mbarë botën e festojnë atë me gosti dhe dhurata.
XS
SM
MD
LG