Lidhje

Helikopteri me energji njerëzore synon rekord


Në vitin 1980, Shoqata Amerikane e Helikopterëve njoftoi një çmim për njeriun e parë që do të ndërtonte një helikopter ku njeriu do të ishte motori i tij. Çmimi Sikorsky prej 250 mijë dollarësh do të jepej për atë mjet që do të fluturonte për 60 sekonda dhe do të ngrihej deri në tre metra lartësi. Kanë kaluar 13 vjet dhe çmimi nuk e ka marrë askush, por një ekip studentësh të Universitetit të Merilandit ka besimin se do ta fitojë atë.

Gamera II por provon veten. Ajo që dukej e paarritshme kur manaxheri i projektit William Staruk filloi studimet pasuniversitare në Universitetin e Merilandit tre vjet më parë, tani duket më pranë.

“Ka fluturuar për 60 sekonda, dhe në prova të ndryshme ka arritur lartësinë e tre metrave. Këto janë dy nga tre kërkesat për të fituar çmimin. Shpresojmë të kombinojmë të dy këto arritje në të njëjtin test, të arrijmë më shumë lartësi dhe të mbajmë helikopterin nën kontroll dhe të qëndrueshëm".

Ekipi ka 50 vullnetarë. Mjeti është ndërtuar prej një përbërje materialesh mikro-karboni, dhe materiale të tjera të lehta. Ndryshe nga helikopterët e zakonshëm, helikat janë poshtë mjetit dhe sillen afër tokës.

“Mbajtja e helikave poshtë kërkon më pak energji. Sa më shumë të ngjitet helikopteri aq më e vështirë bëhet për pilotin.”

Piloti i duhur për testin është i hollë dhe i fortë, Colin Gore.

“Kam shumë muskuj ndryshe nga sa dukem.”

Kur piloti u jep pedaleve me duar dhe këmbë, ai vë në lëvizje helikat dhe helikopteri fillon të fluturojë.

“Duam ta kemi nën kontroll fluturimin. Pjesë e kushteve është që helikopteri të mos lëviz pa drejtim.”

Në ditët e provave, studentja Elizabeth Weiner ndihmon në drejtimin e pilotit dhe ekipit. E zhgënjyer nga arritjet vetëm pak javë më parë, ajo së bashku me zotin Staruk po inspektojnë dëmet në depon e kampusit.

Pavarësisht pengesave të fundit, Staruk dhe Weiner pajtohen se projekti ka qënë thellësisht i kënaqëshëm.

“Kemi patur mundësinë të kalojmë përmes provave të projektimit dhe fluturimit, diçka jo fort e zakonshme. Është kënaqësi të ndërtosh diçka dhe ta fluturosh atë dhe të mundohesh të bësh të pamundurën.”

“Për mua është që ne e bëmë dhe ishim të parët.”

Kjo përpjekje vjen katër vite pasi ata u sfiduan që të hynin në garë nga profesori i aeronautikës Indrejit Chopra. Ai ndjehet krenat për arritjet e tyre.

“Do të jetë një gëzim i madh kur ata ta përfundojnë atë.”

Piloti Colin Gore është gati.

“Ndjehem se kam rol të madh por ndoshta punën më të lehtë nga të gjithë, sepse më duhet të krijoj energjinë e duhur dhe t’u jap rendimentin që ata meritojnë.”

Ekipi Gamera II planifikon të bëjë një përpjekje tjetër për çmimin Sikorsky për helikopterin e vënë në punë me energji njerëzore brenda dy muajve të ardhëshëm.
XS
SM
MD
LG