Lidhje

Herman Cain rivlerëson kandidimin e tij, Gingrich shton mbështetjen në anketa


Herman Cain rivlerëson kandidimin e tij, Gingrich shton mbështetjen në anketa
Herman Cain rivlerëson kandidimin e tij, Gingrich shton mbështetjen në anketa

Në politikën presidenciale të Shteteve të Bashkuara, vemendja është përqëndruar tek pretendenti për Shtëpinë e Bardhë Herman Cain. Zoti Cain u shpreh se ai po rivlerëson fushatën e tij, menjëherë pas zërave mbi një lidhje jashtëmartesore, të cilën zoti Cain e mohon. Ndërkohë, fushata republikane duket gjithnjë e më tepër si një garë e mbyllur midis ish Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich dhe ish Guvernatorit të Masaçusetsit, Mitt Romney.

Një ditë pasi ai u tha bashkëpunëtorëve të tij se do të rivlerësonte kandidimin e tij për President, sipërmarrësi nga Xhorxha, Herman Cain dukej sfidues gjatë një takimi elektoral në shtetin Qendror të Ohajos.

“Zëri i njerëzve është më i fuqishëm se zëri i medias”.

Zoti Cain po i mohon akuzat mbi një lidhje jashtëmartesore me zonjën Ginger White, e cila tha në emisionin televiziv “Good Morning America” të rrjetit ABC se kishte qenë në një lidhje me zotin Cain për një periudhë prej 13 vjetësh.

“Ishte një lidhje e rastësishme. Unë kam marrë dhurata dhe para gjatë 2 vjet e gjysëm të fundit, në mënyrë të vazhdueshme. Por ajo nuk ishte një marrëdhenie me pagesë”.

Akuza për këtë lidhje jashtëmarrtesore vjen pak javë pas akuzave për ngacmime seksuale të ngritura ndaj zotit Cain prej katër grave, të cilat shkaktuan një rënie të mbështetjes së opinionit publik ndaj tij, në sondazhet e fundit.

Personi që po fiton mbështetje gjithmonë e më të madhe për momentin është ish Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Newt Gingrich, i cili sipas shumë anketave kombëtare kryeson garën midis tetë kandidatëve republikanë.

“Unë nuk them se jam kandidati perfekt. Ajo që unë them është se jam shumë më konservator se Mit Romney dhe shumë më i përshtatshëm për t’u zgjedhur se çdo kandidat tjetër”.

Rënia e mbështetjes ndaj zotit Cain në anketa duket se ka ndihmuar kandidatin Gingrich, i cili tashmë shfaqet si alternativa kryesore ndaj ish Guvernatorit të Masaçusetsit Mitt Romney.

Zoti Romney është cilësuar për një kohë të gjatë si pretendenti kryesor për garën republikane dhe ai vazhdon të përqëndrohet kryesisht tek Presidenti Obama, ashtu siç bëri edhe në një takim elektoral në shtetin jugor të Floridas.

“Presidenti Obama është një njeri i mirë. Por unë nuk mendoj se ai e kupton Amerikën. Unë nuk mendoj se ai e kupton ekonominë tonë. Unë nuk mendoj se ai e kupton fuqinë e njerëzve të lirë, të cilët mund të zgjedhin lirisht rrugën e tyre në jetë”.

Analisti politik i rrjetit televiziv ABC, Matthew Dowd, mendon se gara republikane për President po kufizohet në një konkurencë midis dy kandidatëve.

“Mendoj se votat kundër zotit Romney po bashkohen rreth ish Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich. Mendoj se zoti Gingrich do të tërheqë më tepër vota të tilla dhe ish guvernatori i shtetit Masaçusets duhet ta shikojë me seriozitet kandidaturën e zotit Gingrich”.

Prova e parë për garën republikane të vitit 2012 zhvillohet më 3 janar të vitit të ardhshëm në shtetin qëndror të Ajovas, ku votuesit do të shprehin preferencat e tyre mes tetë kandidatëve republikanë presidencialë.

XS
SM
MD
LG