Lidhje

Herman Kein mohon akuzat për ngacmim seksual


Herman Kein mohon akuzat për ngacmim seksual
Herman Kein mohon akuzat për ngacmim seksual

Në politikën amerikane, pretendenti republikan për president Herman Kein thotë se akuzat kundër tij për ngacmim seksual të dy grave në vitet 1990 nuk janë të vërteta. Ngritja e zotit Kein në krye të listës së kandiadtëve republikanë për president ka qenë befasi e madhe në fazat e hershme të garës presidenciale për vitin 2012 në Shtetet e Bashkuara. Por shtrohet pyetja se a do të zgjasë epërsia e zotit Kein deri në fund?

Herman Kein ishte në qendër të vëmendjes gjatë një fjalimi në Klubin Kombëtar të Shtypit në Uashington. Por shumë shpejtë, zoti Kein u hodh në mbrojtje në shumicën e kohës një ditë pas raportit në revistën që botohet në internet Politico.com ku thuhet se dy gra e kishin akuzuar atë për ngacmim seksual gjatë kohës kur ai ishte drejtues i Shoqatës Kombëtare të Restoranteve në vitin 1990.

“Unë kurrë nuk kam ngacmuar seksualisht njeri. Së dyti, në kohën kur kam punuar në shoqatën e restoranteve jam akuzuar për ngacmim seksual. Akuzat ishin të pavërteta. Ajo çështje u mbyll pas një hetimi të plotë sepse akuzat ishin të pabaza”.

Politico.com njofton se të dy grave të paidentifikuara u janë dhënë shuma të mëdha financiare në këmbim të largimit nga shoqata dhe që të mos e diskutonin më këtë çështje. Zoti Kein thotë se ai nuk ishte në dijeni të kësaj.

Kjo ndodh në një moment kritik për fushatën presidenciale të kandidatit Herman Kein, e cila është rritur në javët e fundit. Ish-biznesmeni nga Xhorxhia është në krye të anketave kombëtare dhe ka një epërsi të ngushtë në anketën e fundit në Iowa, shteti që fillon procesin e emërimit të kandidatëve republikan më 3 janar.

Zoti Kein u pyet për arsyet e ngritjes së tij politike të dielën në programin e rrjetit teliviziv CBS “Face the Nation”.

“Ata janë vërtetë të entuziazmuar me atë që unë jam duke thënë dhe mënyrën se si po i prezantojë ato. Amerikanët duan të ndjehen krenarë përsëri dhe tani ata nuk po ndihen aq krenarë”.

Zoti Kein është një biznesmen konservator afrikano-amerikan i cili në të kaluarën ka patur vetëm një përpjekje të pasuskesesshme në politikë në zgjedhjet për senat në Xhorxhia.

Por sjelljet e zotit e Kein dhe stili i tij i drejtëpërdrejtë i të folurit ka gjetur mbështetje në mesin e shumë votuesve konservatorë të Partisë Republikane të cilët luajnë rolin kryesor në zgjedhjen e kandidatëve republikanë për president, veçanërisht në votimet e hershme në shtete si Ajova, Nju Hampshire dhe në Karolinën e Jugut.

Anketuesi i Universitetit Quinnipiac Peter Brown thotë se Herman Kein është duke fituar mbështetje mes një prej grupet më aktive të votuesve republikanë, aktivistëve të Lëvizjes Tea Party, të cilët kërkojnë një qeveri të vogël qendrore dhe një qasje të re ndaj udhëheqjes.

“Herman Kein ka pasur një muaj shumë të mirë. Mbështetja për zotin Kein nga njerëzit të cilët e konsiderojnë veten anëtarë dhe përkrahës të Lëvizjes Tea Party është e fuqishme”.

Peter Brown dhe analistë të tjerë thonë se sfida kryesore e zotit Kein tani është të krijojë një rast për ngritje politike me rezultate të forta në disa prej shteteve kryesore ku do të mbahen votimet e para. Por kjo detyrë është e ndërlikuar nga fakti se kandidati republikan Herman Kein ka patur vështirësi në mbledhjen e fondeve dhe ka organizim të vogël të fushatës në shtetet ku do të zhvillohet votimi i hershëm.

XS
SM
MD
LG