Kandidatja demokrate për president, Hillary Clinton, nuk u ndje mirë dhe u largua papritur nga ceremonia e sotshme në Nju Jork që po zhvillohej në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Zyrtarët e fushatës së saj njoftuan më pas se ajo ndihej shumë më mirë.
Zyrtarët e fushatës thanë se ajo përjetoi të nxehtin e lartë në vendin ku u krye sulmi i 11 shtatorit 2001, kur al-Qaida mori jetët e pothuajse 3 mijë personave duke përplasur avionë në Kullat Binjake.
Një zëdhënës i fushatës tha se ajo qëndroi në ceremoni për gati 90 minuta për të respektuar viktimat dhe për t’u përshëndetur me familjet e tyre. Kur ajo ndjeu se nuk përballonte më temperaturat e larta, eskorta e Shërbimit Sekret e transportoi kandidaten 68-vjeçare tek apartamenti i së bijës, Chelsea, që ndodhet në Nju Jork.
Pas rreth dy orësh, zonja Clinton doli prej banesës së të bijës, përqafoi një fëmijë, përshëndeti kalimtarët dhe u nis me autokolonën e saj. Ndërsa po largohej, ajo tha se: “Ndjehem shumë mirë; është një ditë e bukur në Nju Jork”.