Dhjetra protestues demonstruan paqësisht sot para një gjykate në Mizuri, ku prokurorët pritet të fillojnë të paraqesin provat për vrasjen e një adoleshenti afrikano-amerikan nga një polic i bardhë.
Një juri e madhe e mbledhur në qytetin e Claytonit do të shqyrtojë të dhënat dhe do të përcaktojë nëse do ta akuzojë Darren Wilsonin për vdekjen e 18 vjeçarit Michael Brown më 9 gusht.
Wilson është i pezulluar dhe familja Brown dhe përkrahësit e saj po bëjnë thirrje për arrestimin e tij.
Vdekja e të riut ka sjellë si rezultat akuza për për diskriminim të vazhdueshëm racor në qytetin e Fergusonit ku u qëllua Brown.
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Eric Holder ka shkuar sot në Ferguson të Mizurit, për t’u takuar me udhëheqës të komunitetit, hetues të FBI-së dhe zyrtarë të të drejtave civile për të diskutuar vdekjen e adoleshentit.
Fergusoni është përfshirë nga protestat herë-herë të dhunshme, pas vrasjes së një adoleshenti të paarmatosur.