Lidhje

Forcat pro-demokratike fituese të zgjedhjeve në Hong Kong


Forcat pro-demokratike në Hong Kong korrën një fitore të thellë në zgjedhjet e së dielës që shënuan një pjesmarrje rekord të votuesve.

Demokratët do të kontrollojnë tani 17 nga 18 këshilla qarqesh që përbëjnë territorin e vogël të Hong Kongut, ndërsa më parë nuk kontrollonin asnjë.

Votimet ishin një goditje për forcat pro-Kinës që mbizotërojnë politikën e Hong Kongut dhe dëshmi e mbështetjes së publikut për një lëvizje pro-demokracisë që mbajti në këmbë protestat që nga muaji qershor.

“Qytetarët e Hong Kongut folën me zë të lartë dhe të qartë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të pranojë që, pothuajse gjashtë muaj pas, opinioni publik NUK është drejtuar kundër lëvizjes", shkroi në rrjetet sociale veprimtari studentor Joshua Wong.

“Kjo është një fitore e thellë, përtej pritjeve të qytetarëve”, tha David Zweig, ish profesor në Universitetin për Shkencë e Teknologji në Hong Kong.

Votimi nuk do të ndryshojë ndjeshëm raportin e forcave në sistemin politik “kuazi-demokratik” të Hong Kongut. Anëtarët e këshillit të rrethit nuk kanë fuqi të miratojnë ligje; por merren kryesisht me çështje lokale, siç janë ankesat për zhurmën dhe stacionet e autobusëve.

Megjithatë, votimi i së dielës shihet si një nga treguesit më të besueshëm të qasjes së opinionit publik, pasi këto janë zgjedhjet e vetme plotësisht demokratike në Hong Kong.

Rreth 3 milionë votues morën pjesë në zgjedhjet e së dielës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG