Lidhje

Hungaria në referendum për migruesit


Në Hungari të dielën po zhvillohet një referendum, përmes të cilit kryeministri Viktor Orban shpreson të sigurojë mbështetjen popullore për qeverinë e tij, në kundërshtimin ndaj planeve të Bashkimit Evropian për sistemimin e strehimkërkuesve në vend.

Pyetja që u drejtohen votuesve në referendum është nëse ata pranojnë kuotat e caktuara nga Bashkimi Evropian për refugjatët. Qeveria hungareze u ka bërë thirrje votuesve të mos i pranojnë kuotat e imponuara nga BE-ja.

Kryeministri Orban kërkon ta ndalë fluksin e imigrantëve myslimanë në Evropë, me argumentin se ata përbëjnë kërcënim ndaj identitetit dhe kulturës së krishterë të Hungarisë dhe Evropës. Ai doli me propozimin që BE-ja duhet të ngrejë një qytet gjigant refugjatësh në Libi.

Kryeministri hungarez thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i forcojë masat e sigurisë në kufi, për të mos lejuar hyrjen e imigrantëve, ashtu sikurse bëri vitin e kaluar Hungaria, që ndërtoi një gardh në kufijtë e saj jugorë me Serbinë dhe Kroacinë.

Qeveria hungareze ka ndërmarrë një fushatë kundër migruesve duke vënë theksin tek lidhja në mes të migruesve dhe terroristëve.

Kritikët thonë se referendumi mund të nxisë edhe më tej ksenofobinë dhe ndjenjat kundër migruesve në Hungari.

Më shumë se 8 milionë qytetarë hungarez kanë të drejtë votimi dhe duhet që 50 për qind e tyre të marrin pjesë që vota të jetë e vlefshme.

XS
SM
MD
LG