Lidhje

SHBA, autoritetet marrin masa për uraganin Michael


Guvernatori i Floridës, Rick Scott premtoi të enjten një aksion masiv ndihmash nga administrata, pasi ky shtet u godit nga uragani Michael, stuhia më e fuqishme që prek pjesën e kontinentale të Shteteve të Bashkuara, prej 50 vjetësh. Qendra Kombëtare e Uraganëve tha se uragani ishte zbutur duke u bërë një stuhi tropikale të enjten në mëngjes, ndërsa i drejtohej veriut, në Xhorxha, Karolinën e Jugut dhe të Veriut dhe deri në Virxhinia.

Michael preku tokën si një uragan i Kategorisë 4 të mërkurën, duke rrëzuar pemë dhe duke ndërprerë energjinë elektrike në rajonin veriperëndimor të Floridës.

"Jam i lumtur që jam ende këtu, jam i lumtur që mbijetova, i lumtur që nuk m’u prish makina. Çdo gjë mund të kishte ndodhur, prandaj jam i lumtur që shpëtova”, thotë Andrew Lamonica, një banor i qytetit Panama.

“Nga pjesa e sipërme, në fillim ra papafingoja, gjithçka po ndodhte aq shpejt kur goditi stuhia. Pasi ra çatia, çdo gjë tjetër u shkatërrua, por unë jam e lumtur që shpëtuam gjallë, sepse kisha frikë se do të ngecesha brenda dhe nuk do të dilja dot”, thotë Rene Scott, një tjetër banore.

Duke folur në një tubim në Pensilvani të mërkurën në mbrëmje, Presidenti Trump tha se qeveria federale po punon nga afër me autoritetet lokale në zonat që ka prekur stuhia.

"Kemi kompanitë elektrike, mijëra e mijëra punonjës të shërbimeve elektrike që po shkojnë në zonat ku ka kaluar stuhia. Ne do të shkojmë pas tyre. Është situatë e vështirë. Të gjithë po bashkëpunojnë ngushtë me zyrtarët vendas. Dhe shumë shpejt, unë do të shkoj vetë në Florida”, - tha ai.

Përmbytjet e mëdha dhe dëmet strukturore ishin të shumta në zonat bregdetare, pranë vendeve ku goditi stuhia.

Para se të arrinte në Shtetet e Bashkuara, Michael shkaktoi shkatërrim në Kubën perëndimore dhe pjesë të Amerikës Qendrore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG