Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni thotë se Kosova është e hapur për bisedime me Serbinë në nivel shtet me shtet, por se thirrjet e Serbisë për negociata për statusin janë destruktive.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës nga Nju Jorku zoti Hyseni tha se në thelb një gjë e tillë kërkohej nga projekt-rezoluta që Serbia ka paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
“Çdo thirrje për negociata për statusin, është një thirrje për trazira dhe destabilitet”, tha zoti Hyseni.
Ai tha se Kosova është kundër çdo ideje për ndarjen e Kosovës dhe për ribërjen e kufijve në Ballkan.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ndodhet në Nju Jork për të bërë lobizëm për njohjen e Kosovës dhe pritet të takohet të hënën me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon.
Ai tha se disa dhjetra vende kanë premtuar se do ta njohin së shpejti pavarësinë e Kosovës, tani që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha opinionin për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë. Zoti Hyseni tha se që nga ai moment ka pasur takime me shumë nga përfaqësuesit e këtyre vendeve. Por ai shtoi se nuk ka marrë asnjë sinjal deri tani nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën.
Megjithatë ai tha se Kosova nuk do të nxitojë të bëjë një kërkesë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara nëse nuk ka siguri që përpjekja do të ketë sukses.