Lidhje

Sot shpallet aktgjykimi për Ratko Mladiçin


Të mërkurën, Gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, do të shpallë vendimin kundër ish-komandantit të serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiç, që ngarkohet me 11 akuza për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë.

Ratko Mladiç, ishte akuzuar në vitin 1995 së bashku me udhëheqësin politike të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, por që të dy i ishin shmangur drejtësisë për më shumë se një dekadë.

Prokurorët e akuzojnë Ratko Mladiçin për vrasjen e mbi 8 mijë burrave në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, një zonë që ishte shpallur e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.

Ai mbahet përgjegjës për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë civile.

Masakra e Srebrenicës dhe rrethimi shumëvjeçar i Sarajevës, ishin zhvillimet që kthyen botën kundër serbëve dhe nxitën sulme ajrore të NATO-s, që çuan në përfundimin e luftës me marrëveshjen e arritur ne Dayton të Ohios në Shtetet e Bashkuara, në nëntor të vitit 1995.

Ratko Mladiç, kishte qëndruar në Beograd në vitet e para pas ngritjes së akuzave ndaj tij, ndërsa ishte fshehur pas rënies së presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vjeshtën e vitit 2000.

Në maj të vitit 2001 ai u arrestua në një fermë në Serbinë veriore, pas një periudhe trysnie të Bashkimit Evropian mbi Serbinë që aspiron integrimet evropiane.

Gjyqi kundër tij, që përmbyllet të mërkurën, u hap në maj të vitit 2012. Gjatë tërë procesit ai ka mohuar akuzat ndërsa mbrojtja e tij kërkoi disa herë që ai të lirohet për t'ju nënshtruar përkujdesjeve mjekësore, por gjykata refuzoi.

Mbrojtja e tij paralajmëroi mundësinë që ai të mos shfaqet të mërkurën në gjykatë për të ndjekur aktgjykimin ndaj tij.

Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi u themelua në vitin 1993 dhe procesi kundër Ratko Mladiçit është i fundit para mbylljes së saj.

Ajo ishte gjykata e parë për krime lufte pas gjykatës ushtarake të Nurembergut në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe u ngrit në mes të luftës së Bosnjës.

Në mars te vitit 2016-të, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Ratko Mkadiçit, Radovan Karaxhiç, i cili u dënua me 40 vjet heqje lirie nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç, u akuzua në vitin 1999 në kohën e luftës së Kosovës dhe u dërgua në Hagë në vitin 2001. Në vitin 2006 vdiq derisa po gjykohej për krime lufte e gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG