Lidhje

Reformat në imigracion, shpresa për përparim


Një arritje e rëndësishme po merr formë në përpjekjet për reforma në ligjet e imigrationit. Një propozim dypartiak është hartuar në Senat për shtimin e sigurisë kufitare. Kjo është një ndër kërkesat qendrore të ligjvënësve republikanë:

Shumë senatorë republikanë kanë thënë se nuk do të votojnë pro reformave në imigracion nëse ligjet e reja nuk përfshijnë masa të forta dhe të verifikueshme për të kontrolluar dhe mbrojtur kufijtë e Amerikës nga dyndja e imigrantëve ilegalë. Ndër ta është Senatori John Hoeven:

“Në krye të listës për reformat e imigracionit është siguria e kufirit”.

Mosmarrëveshjet lidhur me hapat konkretë për kontrollin e kufirit kishin kërcënuar vënien në rrezik të projekt-ligjit, që do t’u ofronte të drejtën e shtetësisë 11 milionë imigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara.

Por dje u shfaq shpresa e përparimit. Senatori Hoeven dhe Senatori Bob Corker, të dy republikanë, njoftuan një amendament kompromisi të negociuar me grupin dypartiak që hartoi projekt-ligjin origjinal. Sipas projekt-ligjit, do të shtohen radhët e rojeve të kufirit me 20 mijë të tjerë, do të ngrihet një gardh prej më shumë se 1 mijë kilometrash përgjatë kufirit me Meksinë si dhe do të modernizohet teknologjia e kontrollit të kufirit. Legalizimi i statusit të imigrantëve pa dokumenta do të realizohej vetëm nëse përmbushen këto kushte.

Senatori Corker:

“Nëse miratohet ky amendament, dhe shpresoj që të miratohet, nuk di se si mund të thotë njeri që ne nuk po e mbështesim projekt-ligjin, pasi nuk është zgjidhur çështja e kontrollit të kufirit”.

Megjithatë, Senatorët republikanë mbeten të lëkundur, përfshirë Ted Cruz.

“Ajo që do të realizonte ky ligj nëse hyn në fuqi, është legalizimi i statusit. Ajo që na tregon e kaluara është se siguria e kufirit nuk do të bëhet realitet”.

Megjithatë, mundësia e një zgjidhjeje me mbështetje dypartiake lidhur me një çështje kaq të nxehtë, u përshëndet nga grupi i tetë senatorëve që hartuan projekt-ligjin. Një ndër ta është Senatori demokrat Charles Schumer.

“Jam tani më i bindur se kurrë se Senati do të miratojë një reformë të fortë dypartiake, e cila do t’i dërgohet Presidentit për firmë”.

Amendamenti i sigurisë së kufirit mund të hidhet në votë javën e ardhshme. Udhëheqësi i shumicës në Senat Harry Reid tha se synon që dokumenti të miratohet brenda dy javësh. Nëse miratohet, do t’i dërgohet Dhomës së Përfaqësuesve, ku presioni për forcimin e kontrollit kufitar do të jetë edhe më i madh se në Senat.
XS
SM
MD
LG