Lidhje

Ende jo një ligj për fëmijët imigrantë


Udhëheqësit e Kongresit thonë se nuk ka ende një vendim për një ligj mbi influksin e fëmijëve imigrantë nga Amerika Qendrore që kalojnë kufirin e Shteteve të Bashkuara nga Meksikën. Presidenti Barack Obama i ka kërkuar Kongresit një fond emergjence prej $3.7 miliardë dollarësh, për të strehuar fëmijët, për të siguruar një numër më të madh juristësh për imigracionin dhe për forcimin e sigurisë në kufi, por republikanët kanë thënë se nuk do t'i japin presidentit një "çek të bardhë".

Në kushtet kur qindra fëmijë nga Amerika Qendrore vijnë çdo ditë në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Obama po i kërkon Kongresit të marrë vendim të menjëhershëm. Por çdo ligj do të duhej të miratohej në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët. Kryetari i Dhomës, John Boehner i tha dje gazetarëve se republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve nuk kanë vendosur ende për formën që do të ketë ligji në fjalë:

"Ende nuk e kemi një ligj. Jemi duke zhvilluar shumë diskutime dhe do t'i vazhdojmë ato."- tha ai.

Zoti Boehner thotë se ai po dëgjon rekomandimet e force të posaçme të kryesuar nga ligjvënësi republikan Kay Granger dhe Kryetari i Komisionit Buxhetor Hal Rogers. Rogers, Boehner dhe republikanë të tjerë kanë lënë të kuptohet se Dhoma e Përfaqësuesve zor se mund të miratojë një ligj edhe me një vlerë shumë më të vogël nga ajo që ka kërkuar nga Presidenti, në se nuk i bëhen më parë ndryshime një ligji kundër trafikut njerëzor të vitit 2008, që u jep fëmijëve imigrantë të drejtën për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara, deri sa të kenë mundësi të paraqiten para një gjykate.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Boehner:

"Nuk e di se si Kongresi mund të çojë para në kufi për këtë problem, pa bërë më parë diçka për ligjin e vitit 2008, i cili shkelet vazhdimisht."

Shumica e demokratëve në Kongres po bëjnë thirrje për miratimin e menjëhershëm të fondit të propozuar nga Presidenti, por shumë prej tyre kundërshtojnë me forcë ndryshimet ndaj ligjit të vitit 2008.

Udhëheqësja e demokratëve në Kongres, Nancy Pelosi:

"Më çudit me të vërtetë fakti se si republikanët përpiqen ta politizojnë këtë çështje-por jo të gjithë ata."

Zonja Pelosi i bëri thirrje Kongresit të përqëndrohet tek zgjidhja që është në interesin e fëmijëve dhe shtoi se shumë prej tyre ndeshen me kërcënime për jetën në vendin e tyre.

Kongresmeni Democrat Henry Cuellar dhe senatori republikan John Cornyn po e sponsorizojnë bashkarisht ligjin që do t'i trajtonte fëmijët imigrantë nga Amerika Qendrore njësoi si ata nga Meksika, të cilët tani mund të deportohen menjëherë. Por nuk është e qartë në se ligji i ri do gjejë mbështetje nga ligjvënësit. Në një seancë të zhvilluar të enjten në Senat, senatorja demokrate Barbara Boxer tha se problemi qëndron përtej mundësisë së Kongresit për ta zgjidhur:

"Ky nuk është vetëm një problem amerikan, ai është problem rajonal. Dhe mendoj se ne nuk mund ta zgjidhim atë vetëm. Dhe as duhet ta bëjmë një gjë të tillë. E kam fjalën për një takim rajonal të nivelit më të lartë për këtë çështje."

Bruce Swartz i Departamentit të Drejtësisë ishte dakord me këtë mendim:

"Prokurori i Përgjithshëm i Meksikës sugjeroi që të kemi një takim të të gjithë prokurorëve të përgjithshëm të rajonit për trajtimin e kësaj çështjeje. Këtë propozim e mirëpriti edhe Prokuri i Përgjithshëm Eric Holder."

Vendet e përfshira në këtë çështje janë SHBA, Meksika, Salvadori, Hondurasi dhe Guatemala.

Si republikanët, edhe demokratët kanë thënë se do të donin ta trajtonin çështjen e krizës në kufi para se largohen për pushimet një mujore në gusht dhe kanë mbetur vetëm pas ditë pune për Kongresin që të vendosë për këtë çështje.

XS
SM
MD
LG