Lidhje

Industria e rrezikshme e arit në Filipine


Minierat e arit kanë qënë për një kohë të gjatë një biznes i rrezikshëm, ndërsa kërkuesit luajnë me jetën e tyre në përpjekje për t’u pasuruar. Në Filipine, qeveria shpreson të ulë rrezikun dhe të shtojë fitimet, të ndalojë praktikat më të rrezikshme, duke pakësuar numrin e firmave të vogla që operojnë në këtë biznes dhe duke i zëvendësuar ato me firma të mëdha të huaja.

Minierat ilegale në qytetin Paracale të Filipineve, i pasur me ar, kanë shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve para se qeveria t’i mbyllte vitin e kaluar. Operatorët lanë pas këto tuba të gjatë, që minatorët përdornin për të marrë frymë kur shkonin nën ujë.

Megjithë ndalimin nga qeveria, disa miniera të tilla janë ende aktive, ku zhytësit futen në tunele të rrezikshme poshtë nivelit të lumit në kërkim të mineraleve të vlefshme.

Procesi nën ujë është i ngjashëm me teknikat e rrezikshme, që operatorët ilegalë përdorin mbi tokë. Punëtorët hyjnë në tunele pa sigurimet e duhura, madje kalojnë nëpër grumbuj gurësh, ndërkohë që rrëzimet vdekjeprurëse të tuneleve nuk janë të pazakonshme. Chita Magbanua (( chee-tah mug-bah-nua )), e cila administronte këtu një minierë ilegale, thotë se minatorët e shikojnë këtë punë si aventurë.

“A ka ndonjë tunel pa rrezik? Por meqë një hap i tillë është aventurë për para, njerëzit rrezikojnë nëse kanë shpresa për të gjetur para”.

Edhe qeveria e Filipineve synon të përfitojë nga ari i vendit, por dëshiron të përmirësojë sigurinë dhe të shtojë të ardhurat. Gjatë viteve të fundit, autoritetet kanë mirëpritur kompani të mëdha minierash si firma kanadeze, Zhvillimi i Burimeve TVI, e cila nxjerr bakër, zing, ar dhe argjënd në ishullin jugor të Mindanaos.

TVI pritet të mbrojë më mirë punëtorët dhe mjedisin, ndërkohë që shton të ardhurat. Ish drejtuesi i operacioneve të firmës TVI, John Ridsdel thotë se kjo mund të përbëjë një sfidë të madhe në zonat rurale të Filipineve.

“Kur një operacion minierash shkon thuajse kudo në vendin tonë, ajo mund të jetë një zonë ku entitetet shtetërore nuk ekzistojnë ose janë fare të pakta, si për shembull nuk ka rrugë, mjekë apo infermjerë, nuk ka klinika mjeksore, shkolla, forca policore dhe as gjykata”.

Ai thotë se operatorët e minierave detyrohen të sigurojnë disa prej këtyre shërbimeve bazë. Firma kanadeze TVI njofton se ka shpenzuar rreth 2 milion dollarë në vit për komunitetin dhe përpjekjet e pyllëzimit. Në vitin 2011, kompanitë e minierave paguan gjithashtu më shumë se 500 milion dollarë në taksa qeveritare.

Për të shtuar edhe më shumë të ardhurat, qeveria e Filipineve ka në plan të ngrejë taksat. Firmat e huaja të minierave janë përgjigjur duke shkurtuar shpenzimet dhe duke mbajtur të hapura pozita që u ishin premtuar minatorëve ilegalë.

Në Paracale, minatorët shqetësohen se ndërsa metodat e tyre janë ndaluar dhe kompanitë e huaja pezullojnë marrjet në punë, ata kanë më pak alternativa për të suportuar familjet e tyre.
XS
SM
MD
LG