Lidhje

Inspektorët ndërkombëtarë në Athinë për bisedime


Inspektorët ndërkombëtarë në Athinë për bisedime
Inspektorët ndërkombëtarë në Athinë për bisedime

Inspektorët Ndërkombëtarë ndodhen në Greqi për bisedime mbi një paketë të dytë shpëtimi financiar për të cilën është rënë dakord më parë, por që ende nuk është finalizuar. Bisedimet vijnë ndërkohë që eurozona është e kërcënuar seriozisht për shkak të problemeve të borxhit.

Ekspertët nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar po zhvillojnë sot takime në ministrinë greke të financave.

Greqisë i ishte dhënë një paketë e parë shpëtimi prej 110 miliard euro nga partnerët e saj evropiane dhe FMN-ja në maj të vitit 2010. Kredia e shpëtoi vendin nga falimentimi por Greqisë iu imponuan masa të ashpra kursimi për të ulur deficitin buxhetor. Shumë shpejt u bë e qartë se kreditë nuk ishin të mjaftueshme, dhe në tetor u arrit një marrëveshje e dytë prej 130 miliard euro.

Marrëveshja e dytë parashikon gjithashtu eliminimin e 100 miliard eurove borxh që Greqia u ka investitorëve privatë.

Ndërkohë ekonomistët që marrin pjesë në një konferencë financiare në Athinë thanë se takimi evropian i nivelit të lartë të premten e kaluar nuk dha zgjidhje afatgjata për vendet e rrezikuara dhe se masat e mëtejshme shtrënguese nuk janë rruga që duhen ndjekur.

"Mendoj se ka vetëm dy zgjidhje. E para është që Evropa të ketë më shumë solidaritet dhe së dyti, disa vende duhet të largohen nga eurozona sepse masat shtrënguese që kërkohen nga kriza aktuale nuk është e mundur të realizohen për Greqinë, Spanjën, dhe Portugalinë," thotë Henri Sterdyniak, i Observatorit Ekonomik Francez.

Ndërkohë, tregjet financiare në Itali reaguan sot negativisht, pasi investitorët shfaqën skepticizëm rreth paktit të Bashkimit Evropian për të shpëtuar euron.

Italianët po përballen me një program masash të ashpra shtrënguese ndërkohë që përpiqen të kuptojnë rezultatet e takimit të së premtes ku qeveria britanike nuk ra dakord me ndryshimet e propozuara për traktatin e BE-së.

XS
SM
MD
LG