Lidhje

Bushati: tensioni politik në Shqipëri, artificial

  • Arben Xhixho

Administrata e Presidentit Trump organizoi të mërkurën në Departamentin e Shtetit, takimin e saj të parë të Koalicionit Global kundër Shtetit Islamik me pjesëmarrjen e ministrave të jashtë të 68 vendeve të koalicionit. Nga Shqipëria në takim mori pjesë Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Pas takimit, zoti Bushati bisedoi në studion e Zërit të Amerikës me kolegun Arben Xhixho mbi rolin e Shqipërisë në këtë koalicion si dhe mbi tensionet politike që po kalon vendi aktualisht.

Zëri i Amerikës: Sekretari i Shtetit, Tillerson, tha gjatë fjalimit të tij se komuniteti ndërkombëtar është ende në një fazë të ndërmjetme në përpjekjet për shkatërrimin e Shtetit Islamik. Administrata e Presidentit Trump e ka vënë si përparësi shkatërrimin e ISIS-it. Sipas jush, çfarë mund të bëhet në të ardhmen, çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen dhe çfarë kontributi mund të japë Shqipëria?

Ditmir Bushati: Natyrisht, ky është një prioritet jo thjeshtë për administratën e re amerikane, po përgjithësisht për të gjitha vendet që janë pjesë e këtij koalicioni. Shqipëria ka qënë që në krye pjesëtare e koalicionit, i cili në fakt është shtrirë përtej suazës së NATO-s dhe, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne kemi ndërmarrë masa të tre-llojshme. Masa operacionale, institucionale dhe sociale. Tek masat operacionale do të doja të veçoja kryesisht kontributin tonë (të Shqipërisë) me municione për forcat Pashmerga, por edhe kontribute të tjera kryesisht në Mesdhe. Tek masat institucionale, i gjithë rishikimi i legjislacionit dhe bashkëpunimi ndërmjet agjencive ligjzbatuese dhe agjencive të inteligjencës. Tek masat sociale, ky ndoshta është elemet unik i Shqipërisë në raport me vendet e tjera të rajonit, do të veçoja punën e lavdërueshme që bëjnë institucionet shtetërore me përfaqësues të komuniteteve fetare, me përfaqësues të shoqërisë civile, pra tek aspektet kryesisht edukative dhe sociale të përballimit të këtij fenomeni. Siç u dakordua gjatë takimit të ministrave (në Uashington), ka një progres të dukshëm në drejtim të zhdukjes së Shtetit Islamik, por nuk jemi ende në fazën përfundimtare, ku mund të deklarojmë që jemi ndarë nga ky fenomen.

Zëri i Amerikës: Shqipëria ka deklaruar së funmdi se do të angazhohet me trupa ushtarake në Irak, në kuadër pikërisht të kësaj përpjekjeje kundër Shtetit Islamik. Për sa trupa bëhet fjalë dhe kur pritet të shkojnë?

Ditmir Bushati: Jemi në fazën përfundimtare të përcaktimit të modaliteteve për mënyrën se si do të kontribuojmë në këtë proces. Ka një angazhim të qartë të qeverisë shqiptare të njoftuar në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s. Jemi në një bashkëpunim të ngushtë kryesisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për sa i përket formatit dhe mënyrës se si do të angazhohemi në këtë proces. Gjatë takimit pata mundësi për të këmbyer disa pikëpamje të shpejta edhe me kryeministrin irakian në lidhje me detajet, por pak a shumë sot për sot mund të them që Shqipëria dhe forcat shqiptare që do të kontribuojnë në Irak, do të kenë të njëjtin status, siç kanë forcat e tjera aleate.

Zëri i Amerikës: Këto ditë në Shqipëri ka patur disa vizita nga politikanë amerikanë, e kam fjalën për ish-ambasadorin Bolton, apo ish senatorin Torricelli, që janë takuar me komunitetin e opozitës iraniane, MEK, që ndodhet në Shqipëri. E para, sa është numri i tyre dhe a mendoni se ata do t’i vazhdojnë aktivitetet e tyre gjatë kohës që janë strehuar në Shqipëri?

Ditmir Bushati: Shqipëria ka marrë një angazhim ndërkombëtar kryesisht me agjencitë e OKB-së për të strehuar këtë kategori, së cilës ju i referoheni. Natyrisht, që ka angazhime specifike në përputhje me ligjet dhe praktikat e së drejtës ndërkombëtare. Nuk bëhet fjalë për një aktivitet politik të tyre në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë për një qëndrim politik të Shqipërisë në këtë proces. Bëhet fjalë thjesht për një qëndrim humanitar. Natyrisht mund të ketë dashamirës, partnerë dhe njerëz që vijnë dhe i takojnë, por qëndrimi i Shqipërisë ka qënë dhe mbetet i pandryshueshëm, duke e konsideruar këtë çështje thjesht dhe vetëm brenda kornizës humanitare.

Zëri i Amerikës: Sa është numri i tyre në Shqipëri?

Ditmir Bushati: Shqipëria është kontribuesi kryesor në këtë proces dhe numri është rreth 3 mijë.

Zëri i Amerikës: Para disa kohësh, shefi i zyrës italiane të antimafias tha se ka dyshime, që para të dala nga trafiku i drogës në Shqipër i mund të shkojnë për të financuar grupin ISIS. A jeni ju i shqetësuar për këtë dhe çfarë masash po merr shteti shqiptar në këtë drejtim?

Ditmir Bushati: Ne kemi një komunikim shumë të zhdërvjellët me partnerët tanë kryesorë në këtë fushë. Natyrisht që, unë jam njohur me këtë deklarim, thjesht nga media. Në rrugë zyrtare dhe diplomatike nuk ka një shqetësim të shprehur nga asnjë prej partnerëve në lidhje me këtë çështje që ju thoni. Ka patur gjithashtu një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur nga Presidenti i Republikës në lidhje me fenomenin e kultivimit të drogës, por asnjë prej përfaqësuesve të institucioneve kryesore që janë pjesë e asaj tryeze, e atij institucioni të rëndësishëm, nuk ka parashtruar një shqetësim të tillë.

Zëri i Amerikës: Flitet shumë kohët e fundit për një shtim të ndikimit rus në Ballkan. Sa ndikim mendoni ju se ka Rusia, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe a jeni ju i shqetësuar nga një gjë e tillë?

Ditmir Bushati: Natyrisht, Ballkani Perëndimor po përjeton një lloj turbullire dhe sot për sot Bashkimi Evropian duket sikur nuk ka një fokus shumë të qartë tek Ballkani Perëndimor, për shkak të sfidave dhe krizave me të cilat po përballet nga brenda, duke filluar nga kriza e Eurozonës, Brexit-i, ajo e refugjatëve, dallimet Lindje-Perëndim, jug-veri dhe një seri zgjedhjesh politike të rëndësishme që mbahen në kryeqytetet kryesore të Evropës; dhe në këtë drejtim, Rusia apo aktorë të ndryshëm, që ne i konsiderojmë si aktorë të tretë në rajon, tentojnë të rikthehen tek politika e sferave të influencës, apo gjeopolitika, përmes ndikimeve të tyre të drejtpërdrejta, qoftë në ekonomi apo në jetën publike. Është një fakt i pamohueshëm, që vitet e fundit shohim një prezencë më të madhe të Rusisë në këtë drejtim, qoftë përmes drejtimeve politike, për sa i përket zhvillimeve në rajon, zhvillimeve në Mal të Zi, zhvillimeve në Maqedoni, ecurisë së dialogut Serbi-Kosovë. Por edhe një lloj penetrimi në hapësirën publike, në hapësirën mediatike ku disa prej mediave kryesore ruse janë prezent në Ballkanin Perëndimor. Ne nuk e shohim Rusinë si një kërcënim për Shqipërinë, apo për Ballkanin Perëndimor, por do të dëshironim të shikonin pozicionimin e saj në raport me Ballkanin Perëndimor dhe Shqipërinë, si përplotësues të aspiratës sonë për të qenë anëtarë të familjes europiane.

Zëri i Amerikës: Shqipëria po kalon kohët e fundit momente jo fort të qeta, madje situata është e tensionuar. Opozita është në protestë, ka kërcënuar se do të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme, kryeministri e ka hedhur poshtë kërkesën e saj për një qeveri teknike, si një formë për të dalë nga situata, për të shkuar drejt zgjedhjeve… Çfarë dëmi mendoni se do t'i shkaktohej Shqipërisë, në qoftë se vendi do të hynte në zgjedhje pa opozitën?

Ditmir Bushati: Së pari dua të them se Shqipëria ka dalluar nga vende e tjera të rajonit, sidomos kohët e fundit për shkak të hapave që ka hedhur drejt procesit të integrimit europian në një moment të vështirë për vetë Bashkimin Europian; kujtoj këtu marrjen e statusit të vendit kandidat në vitin 2014, rekomandimin e nëntorit të vitit të kaluar nga ana e Komisionit të B.E. për të filluar bisedimte për anëtarësim, me mirëkuptimin, apo kushtin, që Shqipëria do të zbatojë reformën në drejtësi dhe ligjin e vetingut. Ne sot jemi në një situatë që do ta konsideroja më tepër artificiale; të kërkosh zgjedhje të lira dhe të drejta është një kërkesë më se legjitime, por mënyra se si mund të përmbushet kjo kërkesë në një sistem siç është sistemi shqiptar, që të paktën ka më shumë se sa një dekadë që ka sanksionuar një lloj bipolariteti në mënyrën se si administrohen zgjedhjet, që nga kutia e votimit dhe komisioni i kutisë së votimit, e deri tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku çdo gjë është në paritet të plotë mes pozitës dhe opozitës. Pra, kërkesa për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe garancitë për të përmirësuar strukturën zgjedhore dhe infrastrukturën zgjedhore, nuk janë tek çadra poshtë kryeministrisë, por janë tek zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Së dyti, mendoj që kërkesa për zgjedhje të parakohëshme, apo për një qeveri teknike, mund të jenë gjithmonë në të drejtën e një opozite për t'i parashtruar, por mënyra se si parashtrohen këto kërkesa, në fund të ditës, duhet të verifikohet me vullnetin e zgjedhësve. Ne flasim për një qeveri, e cila ka dalë si rezultat i zgjedhjeve të qershorit të 2013-ës, ka një mandat të qartë për të qeverisur Shqipërinë për katër vite, pra nuk është në mundësinë tonë për të shtyrë zgjedhjet, siç kam dëgjuar një tjetër kërkesë të Partisë Demokratike, por është në detyrimin tonë si qeveri dhe si maxhorancë për t'u ulur me Partinë Demokratike dhe me opozitën në komisionin e reformave zgjedhore së bashku me OSBE-ODIHR-in dhe për të hulumtuar të gjitha rrugët dhe të gjitha mundësitë që e bëjmë sistemin zgjedhor dhe infrastrukturën zgjedhore më garantiste. Ka pretendime për raportin e medias me politikën dhe biznesin. OSBE ODIHR-i ka disa rekomandime mjaft të vlefshme në lidhje me transparencën e financave dhe financimin e partive politike, në lidhje me reklamën televizive në periudhën parazgjedhore dhe zgjedhore; pra, ka disa hapësira ku si ne, ashtu edhe opozita, mund të gjejmë gjuhën e përbashkët për të plotësuar reformën zgjedhore, Natyrisht, një situatë artificiale e dëmton vendin, e dëmton sepse ne kemi gjetur gjuhën e përbashkët më 21 korrik, kur votuam së bashku reformën në drejtësi, paketën kushtetuese; sot për sot jemi në një moment kritik, kur duhet të implementojmë reformën në drejtësi. Implementimi i reformës në drejtësi dhe sidomos ligji i vetingut, do t'i krijonte mundësi Shqipërisë për të shikuar drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim dhe besoj që në këtë proces të dyja palët do të duhet që të ishin kontribuese. Sepse është kollaj të hedhësh tavolinën, apo ta përmbysësh atë, por duhet të llogarisësh gjithmonë edhe pasojat që mund të vijnë nga ky veprim.

Zëri i Amerikës: Kur qeveria juaj erdhi në pushtet para gati katër vjetësh, ajo erdhi në emër të Rilindjes, që madje u bë edhe sinonim me emrin e partisë tuaj. Fakti është që tensionet në Shqipëri po vazhdojnë të përsëriten, pavarësisht se kush e ka fajin dhe pavarësisht se cila është arsyeja. Në këtë kuptim, a vihet re një lloj dështimi i Rilindjes dhe a ndjeni ju përgjegjësi për këtë situatë të krijuar, se është e pamundur që të ketë vetëm një palë fajtore…

Ditmir Bushati: Është e vështirë të flasësh për përgjegjësi në kushtet kur njëra palë, çdo ditë parashtron kërkesa nga më të ndryshmet. Natyrisht, që nuk do të ndaja argumentin që këto janë dështime të qeverisë sonë. Pse? Sot për sot, opozita proteston lirisht në shesh, pavarësisht se ka bllokuar bulevardin "Dëshmorët e Kombit", që është arteria kryesore e Tiranës dhe e shqiptarëve të përgjithësi. Nuk ka asnjë lloj incidenti, nuk ka vrajse, nuk ka edhe asnjë lloj çensure. Dhe mendoj se në fund të fundit, është progres. Së dyti, nuk i mohohet asnjë lloj e drejte, sepse e thashë edhe një herë tjetër, rregullat e lojës janë shkruar së bashku, ne jemi një shumicë që i kemi numrat për të vazhduar dhe për të ofruar ndryshime në kodin zgjedhor, por nga ana tjetër, kemi preferuar që në çdo moment, ndryshimet në kodin zgjedhor, ndryshimet për partitë politike, të bëhen së bashku. Së treti, nga dita e parë e deri më sot tek protesta, ne kemi dëgjuar justifikime, apo qëndrime nga më të ndryshmet: fillimisht kërkohej votimi elektronik, më pas numërimi elektronik, më pas doli qevria teknike, më pas ju tha Bashkimit Europian që jeni duke folur broçkulla, sepsek nuk janë këto kushtet për Shqipërinë, por janë disa kushte të tjera, më pas u kërkua qeveria teknike, tani kërkohet shtyrja e zgjedhjeve dhe një qeveri teknike që të vendoset nga Partia Demokratike, Pra, këtu nuk jemi më tek rregullat bazë të një sistemi demokratik, ku çdo gjë përcaktohet nga mënyra se si votojnë qytetarët dhe përgjegjësia jonë si qeveri dhe përgjegjësia e atyre që sot për sot janë në opozitë, është për të punuar së bashku, që një demokraci zgjedhore për ta transformuar në një demokraci më xhenuine, ku rregullat e lojës përcaktohet bashkarisht.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG