Lidhje

Intervistë me kryetarin e ERE-s, Sokol Ramadani


"Ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës energjitike. Ka ulje të humbjeve rreth 6 për qind, ka edhe një rritje të arkëtimeve", - tha ai.

Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Sokol Ramadani, pohoi në Tiranë se heqja e licensës së kompanisë CEZ për shpërndarjen e energjisë elektrike erdhi për shkak të shtimit të humbjeve dhe përkeqësimit të financave nga mosmbledhja e faturave. Zoti Ramadani tha se tashmë është rikthyer furnizimi i plotë me energji, dhe humbjet po ulen gradualisht. Ai theksoi që kompania çeke ende nuk ka hapur ndonjë gjyq ndërkombëtar, ndërkohë që kompania CEZ Shpërndarje po administrohet nga shteti.



Zëri i Amerikës: Zoti Ramadani! Si kryetar i ERE-s, a mund të shpjegoni pse iu hoq licensa kompanisë çeke CEZ, për shpërndarjen e energjisë elektrike? Pse dështuan ata në Shqipëri?

Sokol Ramadani: E nxjerrë si përfundim i punës së tyre trevjeçare këtu, shkaku është mosmenaxhimi i mirë i punës dhe administratës që ka patur CEZ në Shqipëri. Mes pikave kryesore që ata nuk qenë në gjendje të menaxhonin ishte humbja e energjisë në rrjet. Ajo i shkaktoi një diferencë të madhe midis targetit, asaj çka ishte përcaktuar në kontratë si detyrim i punës së tyre në lidhje me humbjet dhe asaj që ata nuk arritën të menaxhojnë humbjet nga vjedhjet. Këto ishin pikat kryesore që shkaktuan një impakt në detyrimin financiar të kompanisë. Nga shtatori apo tetori i vitit të kaluar ato penguan apo nuk realizuan më importin e humbjeve të energjisë, sepse gjendja e tyre financiare ishte e rëndë si rezultat i mosmenaxhimit të humbjeve, që e çoi këtë kompani në heqjen e licencës. Ka edhe pika të tjera, por unë e përcaktoj saktë se mosmenaxhimi i humbjeve ishte kryesori. Po të vijmë më poshtë, janë edhe sasia e madhe e matësve, të cilët nuk funksiononin mirë, edhe çështje të tjera që futeshin në punën e tyre të përditshme.

Zëri i Amerikës: Sahatët e tyre nuk punonin mirë? Shumë qytetarë u ankuan atëherë për fatura të fryra, për mosinstalimin e sahatëve, për afrofe të ndryshme…

Sokol Ramadani: Ka një numër të madh qytetarësh që nuk ishin pajisur me matës, ndonëse kompania i deklaronte këtu si punë e kryer. Kishte edhe probleme të tjera që ata me forcat e tyre dhe me ekipet e tyre në terren nuk ishin në gjendje që të kontrollonin punën e tyre për humbjet e energjisë.

Zëri i Amerikës: Më konkretisht, cila është situata që la CEZ-i pas? Ku janë humbjet, arkëtimet, investimet që duhet të kryente dhe borxhet ndaj kompanive të tjera?

Sokol Ramadani:
Në fundin e vitit 2012 sasia e humbjeve të energjisë është 46 për qind, ndërkohë që e parashikuar në targetin e kontratës ishte 20 për qind. Pra, është një diferencë shumë e madhe, që çoi në vlerat e 100 e ca milionë eurosh në buxhetin e tyre. Gjithashtu ata lanë pas edhe një sasi të madhe të mosarkëtimit të gjithë klietëve të tyre, përfshi këtu familjarë, privatë apo edhe ndonjë shtetëror. Këto janë situata që ata lanë, të cilën ne me heqjen e licensës dhe me vendosjen e administratorit po përpiqemi në mënyrë të fuqishme që të përmirësojmë situatën.

Zëri i Amerikës: CEZ Shpërndarja po administrohet nga shteti shqiptar. Për sa kohë mund të përmirësohet gjendja në kompani dhe a ka plane për një riprivatizim të kompanisë?

Sokol Ramadani: Kjo periudhë që quhet administrim i përkohshëm është mbështetur në ligjin e energjisë dhe përcakton një periudhë pas heqjes së licencës deri në shpronësimin e aseteve. Ne po përpiqemi të përmirësojme ato që janë më kryesoret; humbjet e energjisë dhe arkëtimet, që janë dy kolonat kryesore të një ndërmarrje, apo të një kompanie shpërndarjeje të energjisë. Administrimi nuk ka të bëjë me përmirësime afatgjata, sepse pas shpronësimit do të krijohet një shoqëri, e cila mund të jetë shtetërore apo mund të riprivatizohet, kjo është në politikën energjitike që do të bëjë qeveria shqiptare. Kjo është periudha deri në shpronësim, që i jep ministrisë së ekonomisë kohën për përcaktimin e vlerësimit të aseteve.

Zëri i Amerikës
: Ky administrim i përkohshëm mund të dekurajojë pagesat dhe mund të krijojë humbje të tjera?

Sokol Ramadani:
Të them të vërtetën, ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës. Ka një ulje të humbjeve rreth 6 për qind, ka edhe një rritje të arkëtimeve. Jo vetëm që pagesat nuk janë dekurajuar, por administrimi ka rritur vlerën e kësaj kompanie shpërndarjeje. Tani kemi të gjitha zonat të furnizuara 100 për qind me energji elektrike, çka është më e rëndësishmja. Kishim shumë situata të ndryshme të krijuara në mënyrë subjektive apo objektive nëpër zona. Këto tani janë harruar. Nuk ka më stakime kolektive, që bëheshin më parë nga CEZ-i i dikurshëm, apo të stakimeve që bëheshin në mënyrë të qëllimshme, që ata bënin duke ulur tarimin e mbrojtjeve. Tani furnizimi me energji është i plotë dhe megjithatë kemi zvogëlim të humbjeve, kemi një rritje të arkëtimeve. Është vetëm muaji i parë i riorganizimit dhe po bëhen përmirësime në struktura. Ne kemi vënë re se ata bënin bilanc të fidrave. Ne tani po kërkojmë që të bëhet i detajuar bilanci i çdo treguesi, që të arrijmë në zvogëlimin e humbjeve në mënyrë të menjëhershme.

Zëri i Amerikës:
Ndërkohë CEZ çek është shprehur për një arbitrazh ndërkombëtar. Lidhur me prishjen e kontratës në Shqipëri ata pretendojnë të marrin edhe shuma të konsiderueshme si kompensim. Kur e si do të zhvillohen dhe kush do ta përfaqësojë Shqipërinë në këto ballafaqime?

Sokol Ramadani:
Ne deri tani kemi marrë konsulencë për përgatitjen e dokumentacionit për dëmet që ka shkaktuar CEZ-i ndak kësaj kompanie. Por deri tani nuk ka padi në arbitrazh. E vetmja padi është në gjykatën e Tiranës, ku nga CEZ Shëprndarja e dikurshme është pretenduar se heqja e licencës kishte të meta. Në të vërtetë, ne jemi përgatitur me konsulencën tonë për të shpejguar qartë se cilat ishin pikat kryesore të humbjes së licensës së tyre. Shteti shqiptar, dhe shumë të tjerë të përfshirë si aksionerë në 24 për qind të aksioneve që kishte shteti shqiptar në marrëdhënie me CEZ, është prekur nga mosmenaxhimi i madh i tyre. Gjendja debitore që ka lënë kjo kompani nga mosfunksionimi i mirë i menaxhimit të tyre ka dëmtuar aksionerin tjetër që është shteti shqiptar. Këto çështje po përgatiten nga ministria e ekonomisë, mbështetur në kontratën që ajo ka me CEZ AZ. Të dyja bashkë do të shohin pastaj humbjet apo problemet që janë shkaktuar nga menaxhimi i dobët i CEZ Shpërndarjes.

Zëri i Amerikës:
Shqipëria po përpiqet të shtojë burimet energjitike. Nga viti 2007 janë dhënë 330 leje koncensionare për ndërtim hidrocentralesh, nga të cilat vetëm rreth 60 janë në proces pune. Pse ka ardhur kjo diferencë?

Sokol Ramadani: Viti 2012 ka qenë i sukseshëm në rritjen e energjisë së rinovueshme për hec-et e vegjël. Është arritur pakashumë më shumë se 10 ër qind e prodhimit kombëtar nga hec-et e vegjël, që është një tregues i mirë për vitin dhe duke e krahasuar me vitet e mëparshme. Mendimi im që këto koncensione do të vinë në vitet e mëvonshme dhe do të shtohen. Shohim që ka disa aplikime të shpejta për futjen në punë të disa hidrocentraleve, që janë nga 5 deri në 15 mega. Pse nuk po ndërtojnë të gjithë? Unë mendoj se janë edhe çështje financiare që kanë të bëjnë me bankat. Ka disa probleme në lidhje me tregun ndërkombëtar për gjendjen e likuiditeteve. Kjo është problematika. Megjithatë ato janë investime të sigurta dhe japin mundësi për fitim të pastër në lidhje me investimin. Pra, investitorët nuk frikësohen për të investuar në këtë sistem. Ata mbulojnë tani rreth 10-12 për qind të prodhimit kombëtar, dhe kjo është e konsiderueshme.

Zëri i Amerikës:
Cili është vlerësimi juaj lidhur me projektin e transmetimit të gazit TAP? Në ç’fazë është puna me përpjekjet e Shqipërisë për t’u përfshirë në këtë projekt rajonal?

Sokol Ramadani
: TAP është një ndër projektet më të rëndësishme që pëerfshin edhe Shqipërinë. Ne jemi në procesin e opinionit për Komunitetin Europian. Kemi bërë një marrëveshje të përbashkët midis tre rregullatorëve; yni dhe rregullatorëve grekë dhe italianë. Futja e gazit është një alternativë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, duke përfshirë këtu edhe TEC-in e Vlorës, i cili ul kostot e prodhimit të energjisë gati dy herë. Gazifikimi është një alternativë e dytë edhe për qytetarët për ngrohejn. Është një ndër projektet më të rëndësishme të zonës. Qeveria ka nënshkruar marrëveshjen dhe punët kanë ardhur në një fazë të mirë. Mesa di unë, në qershor përcaktohet nga pronari nëse do të jetë ky projekt kryesori, por kam mendimin që është ndër më të favorizuarit për këtë situatë.
XS
SM
MD
LG