Lidhje

Kerry kërkon formimin e shpejtë të kabinetit të ri irakian


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry po i kërkon kryeministrit të emëruar irakian Haider al-Abadi që të formojë sa më parë kabinetin e ri qeveritar. Kryediplomati amerikan po ashtu ka premtuar mbështetje për Irakun në luftën e tij kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Zoti Kerry u tha gazetarëve sot në Australi se objektivi për Irakun mbetet një qeveri që përfaqëson të gjitha sektet fetare dhe pakicat.

“Udhëheqja irakiane ka një sfidë të vështirë. I duhet të rifitojë besimin e popullit duke qeverisur për të gjithë por edhe duke ndërmarrë hapa për të demonstruar zgjidhjen. Ne do të qendrojmë përkrah popullit irakian gjatë kësaj periudhe kalimtare.”

Presidenti i ri irakian Fouad Massoum emëroi zëvendës kryetarin e parlamentit Haider al-Abadi, në postin e kryeministrit, megjithë protestat e forta të Nouri al-Malikit, që kërkonte një mandat të tretë.

Zoti Maliki, i akuzuar gjerësisht se nuk arriti unifikimin e fraksioneve irakiane gjatë 8 vjetëve si kryeministër, ka sfiduar të gjitha thirrjet e Sunive, Kurdëve dhe disa Shiitëve, për t’u tërhequr.

Dje kriza politike u thellua dhe më tej kur zoti Maliki doli në televizion me pjestarë të bllokut të tij politik.

“E sigurojmë popullin irakian dhe grupet politike se emërimi i Abadit është i pavlefshëm, pasi bie ndesh me procedurat kushtetuese. Nuk do ta pranojmë këtë shkelje të kushtetutës meqenëse ne jemi mes atyre që formuan kushtetutën dhe proceset demokratike. Dua të ju siguroj se ne nuk do të heqim dorë nga kandidatura jonë.”

Dje, presidenti Barack Obama u bëri thirrje formuesve të administratës së re irakiane që të bashkohen paqësisht me synimin për të eliminuar kërcënimin e militantëve të Shtetit Islamik të cilët kanë në kontroll pjesën dërrmuese të vendit.

Presidenti theksoi sulmet e fundit ajrore në mbështetje të luftëtarëve kurdë dhe refugjatëve në veri të Irakut. Ai tha se avionët mbeten të gatshëm për të sulmuar ekstremistët që kërkojnë të formojnë një Kalifat në rajonet e gjera tashmë nën kontrollin e tyre.

Grupet militante kanë tronditur komunitetin ndërkombëtar me ekzekutimet brutale të pakicave etnike dhe fetare dhe të atyre që nuk pajtohen me variantin e tyre të interpretimit të Islamit.

XS
SM
MD
LG