Lidhje

Shqetësimet amerikane për trazirat në Irak


Shtëpia e Bardhë po shpreh shqetësim lidhur me kaosin në rritje në Irak, dhe ndikimin që mund të ketë tek lufta kundër të vetëquajturit “Shtetit Islamik”. Shtetet e Bashkuara thonë se Iraku ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme qendrore që të kontribuojë për zmbrapsjen e grupit. Por disa thonë se nuk ka gjasa që Bagdadi të ketë një qeveri të bashkuar së shpejti.

Protestuesit hynë me forcë në Zonën e Gjelbër të Bagdadit, të indinjuar me konfliktet në qeveri dhe korrupsionin.

“Ja ç’kërkojmë ne: nëse nuk bëhen reforma, e gjithë qeveria duhet zëvendësuar”, thotë një protestues.

Ata ishin dërguar nga kleriku Shi’it Muqtada al-Sadr për të bërë presion ndaj qeverisë, që drejtohet nga një tjetër shi’it, kryeministri Haider al-Abadi.

Tani ndasitë kanë hyrë edhe brenda sekteve, në vendin e përçarë thellë.

Çfarë do të thotë ky problem në rritje?

Ish-ambasadori amerikan në Bagdad, James Jeffrey thotë se nuk dihet.

“Ka një mundësi, rreth 60 për qind që Iraku do të mbetet në të njëjtin nivel mosfunksional, nga perspektiva jonë”.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur përpjekjet e Abadit për të ndërtuar një qeveri qendrore mbi ndarjet sektare.

Shpresa është që një qeveri më e fortë të ndihmojë forcat irakiane dhe ato lokale që të zmbrapsin Shtetin Islamik.

Me më shumë trazira të pritshme, Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Bagdadit të lëvizë me shpejtësi.

“I takon popullit irakian që të përcaktojë qeverinë e vet. Megjithatë ne mendojmë se është jetike për shëndetin dhe stabilitetin e Irakut që qeveria e tij të finalizohet dhe stabilizohet. Dhe ne u kemi bërë thirrje që ta çojnë këtë gjë deri në fund”, tha Presidenti Obama.

Por me një qeveri të dobët, thotë ambasadori Jeffrey, Shtetet e Bashkuara nuk duhet të presin që Bagdadi të zmbrapsë me sukses Shtetin Islamik, nëse Uashingtoni nuk ka vullnetin të bëjë më shumë nga ana ushtarake.

“Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë kundër ISIL-it, por na duhen aleatë. Nëse qeveria irakiane shpërbëhet dhe bie në kaos, atëherë kemi kurdët, fiset lokale Sunni dhe njerëz të tjerë që mund t’i rekrutojmë dhe stërvisim”.

Me ndihmën e goditjeve ajrore amerikane dhe trajnuesve ushtarakë, ushtria irakiane dhe forcat lokale kanë bërë përparime muajt e fundit.

Megjithatë me vazhdimin e paqendrueshmërisë politike, Shteti Islamik po e ruan kontrollin e pjesëve të mëdha të territorit.

XS
SM
MD
LG