Lidhje

Vazhdon shkallëzimi i replikave mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit


Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vazhduan të shkallëzohen, ndërsa Irani paralajmëroi se do të reagojë ashpër ndaj çdo agresioni të mundshëm kundër tij dhe Presidenti amerikan Donald Trump u zotua se do të vendosë më shumë sanksione ndaj Republikës Islamike.

Zoti Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se “po vendosim sanksione shtesë ndaj Iranit" në një përpjekje për të parandaluar sigurimin e armëve bërthamore nga ana Teheranit.

Zoti Trump tha gjithashtu aksioni ushtarak kundër Iranit vazhdon të jetë një alternativë dhe se Shtetet e Bashkuara “nuk do të pranojnë që Irani të ketë armë bërthamore”. Ai shtoi se nëse udhëheqësit e Iranit heqin dorë nga ambicjet e tyre bërthamore “ata do të kenë një vend të pasur” dhe “unë do të jem miku i tyre më i mirë”.

Preidenti Trump i bëri komentet e fundit para se të shkonte në rezidencën presidenciale në Camp David në shtetin e Merilendit, për të vazhduar diskutimet për Iranin.

Më herët të shtunën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Abbas Mousavi i tha agjencisë gjysmë zyrtare të lajmeve Tasnim se Irani nuk do të lejonte shkeljen e kufijve të vet. Ai tha se “Irani do t’ë bënte ballë me vendosmëri çdo agresioni apo kërcënimi nga Amerika”.

Ndërkohë Ministri i jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif, publikoi në Twitter harta që ai tha se tregonin se droni amerikan i goditur nga Irani, ishte brenda ujrave territoriale të vendit.

"Nuk ka dyshim se ku ishte mjeti ajror kur u godit”, shkruajti zoti Zarif në Twitter.

Ministri britanik për Lindjen e Mesme, Andrew Murrison shkon të dielën në Teheran për bisedime me zyrtarë iranianë. Ai do të bëjë thirrje për “qetësim urgjent të gjendjes në rajon”, si edhe do të diskutojë lidhur me kërcënimin e Iranit për t’u tërhequr nga marrëveshja për armët bërthamore nga e cila dolën Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar.

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se kishte hequr dorë nga një goditje ushtarake ndaj Iranit sepse një përgjigje e tillë ndaj rrëzimit të dronit amerikan nga ana e Teheranit do të shkaktonte humbjen e jetës së një numri të madh njerëzish.

Në një sërë postimesh në Twitter, presidenti Trump tha se sanksionet ekonomike ndaj Iranit, po jepnin efekt dhe sanksione të tjera ishin vendosur të enjten vonë, pas shkatërrimit të dronit amerikan nga një raketë iraniane tokë-ajër.

Zoti Trump tha se plani kishte qenë për të goditur tre objektiva të ndryshme në përgjigje të rrëzimit të dronit dhe se i kishin thënë se 150 vetë do të kishin humbur jetën si pasojë e tyre dhe për këtë arsye ai ishte tërhequr.

Vendimi amerikan për t’u tërhequr nga goditjet ushtarake ndaj Iranit, duket se shmang një konflik të mundshëm të armatosur që do të përfshinte pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG