Përpjekjet e Presidentit Barak Obama për të bindur Kongresin që të miratojë marrëveshjen bërthamore me Iranin kanë marrë një goditje serioze pasi një ndër aleatët kryesorë të presidentit, Senatori demokrat Chuck Schumer, po e kritikon marrëveshjen.
Senatori tha se pas një analize të hollësishme dhe një reflektimi të kujdesshëm, ka vendosur të votojë kundër dokumentit.
Zoti Schumer, senator nga Nju Jorku, dhe një ndër anëtarët hebraikë më me peshë në Kongres, nxori dje një deklaratë pak pasi një tjetër anëtar hebraik i Kongresit, ligjvënësi Eliot Engel bëri të ditur se do ta kundërshtojë marrëveshjen.
Sekretari i Shtetit John Kerry, një ndër arkitektët e dokumentit, shprehu zhgënjim nga këto deklarata. Sipas deklaratave të një pjese të ligjvënësve, dokumenti ka gjasa të mos miratohet në Kongres. Presidenti Obama ka thënë se do t’i vërë veton votës së Kongresit, por i duhet mbështetja e demokratëve në Kongres për veton.