Lidhje

Sek. Kerry për marrëveshjen me Iranin


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se një marrëveshje bërthamore me Iranin do të ndalë marshimin e Teheranit drejt kapaciteteve për armë atomike dhe do të ofrojë një dritare mundësie për të negociar një marrëveshje përfundimtare. Administrata Obama po përpiqet të bindë skeptikët në vend dhe jashtë tij se marrëveshja paraprake është në interes të Amerikës dhe aleatëve të saj.

Në një media blic përmes transmetimeve amerikane dje, Sekretari Kerry e cilësoi marrëveshjen si një hap të parë drejt një rezolute të mundshme paqësore për ambicjet bërthamore të Iranit. Në komentet në emisionin Face të Nation të rrjetit CBS, zoti Kerry foli për kufizimet që ka pranuar Teherani:

"Ata duhet të shkatërrojnë stoqet me uranium të pasuruar në shkallë të lartë, i cili është një element kritik për prodhimin e bombës. Pasi t’i shkatërrojnë këto stoqe, do të kenë vetëm uranium të gradës së ulët. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, nuk u lejohet të ndërtojnë objekte të reja pasurimi. Kemi vënë kufizime mbi centrifugat që janë pasisje kritike për pasurimin”.

Sekretari i Shtetit theksoi se marrëveshja përfshin masa të forta verifikimi:

"Marrëveshja nuk bazohet tek besimi, por verifikimi. Ajo bazohet në aftësinë e kontrollit të situatës. Pra nuk do të bazohemi tek besimi te pala tjetër. Duhen mekanizma në funksionim për të ditur ekzaktësisht se çfarë po ndodh”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e kritikoi marrëveshjen me fjalët “një gabim historik”. Në komentet për emisionin This Week të rrjetit ABC, Senatori republikan Saxby Chambliss tha se marrëveshja nuk përmbush synimin madhor të komunitetit ndërkombëtar.

"Asgjë nga ato që tha Sekretari Kerry nuk na çon në drejtimin e parandalimit të Iranit nga aftësia për të prodhuar armë bërthamore”.

Senatori foli kundër lehtësimit të presionit ekonomik kundër Iranit.

"Nuk është momenti për të zbutur sanksionet, kur po japin rezultat”.

Të shtunën në mbrëmje, Presidenti Barak Obama e cilësoi marrëveshjen
si një hap modest që mund të anulohet në çdo moment, nëse Teherani nuk respekton angazhimet e bëra. Sekretari Kerry tha se marrëveshja është shumë më pozitive se alternativa ku Irani të vazhdojë aktivitetin bërthamor pa kontroll.
XS
SM
MD
LG