Lidhje

Sot fillon faza e re e bisedimeve bërthamore me Iranin


E ardhmja e programit bërthamor të Iranit dhe ekonomia e këtij vendi, do të jenë në tryezën e bisedimeve në Vjenë duke filluar sot, ndërkohë që qeveria e Teheranit fillon një fazë të re dhe të vështirë të negociatave me grupin P5+1. Këto bisedime pasojnë një marrëveshje të përkohshme të arritur vitin e kaluar e cila vuri kufizime mbi disa pjesë të programit bërthamor të Iranit.

Marrëveshja historike e arritur në nëntor të vitit të kaluar i ofroi Iranit lehtësimin e një pjese të vogël të sanksioneve në këmbim të kufizimit të disa aspekteve më shqetësuese të programit të tij bërthamor.

Por ky ishte vetëm një hap i përkohshëm, i parashikuar të zgjasë gjashtë muaj ose një vit, për t’i dhënë mundësi negociatave për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mbi programin bërthamor të Teherani në shkëmbim të heqjes së të gjitha sanksioneve ndërkombëtare të cilat e kanë dëmtuar rëndë ekonominë e këtij vendi.

Ky proces fillon sot në Vjenë, ku negociatorët iranianë do të bisedojnë me zyrtarë nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë, të udhëhequr nga shefja e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme.

Ekspertët thonë se kjo do të jetë një përpjekje e gjatë dhe më e vështirë se bisedimet e vitit të kaluar. Për heqjen e plotë të sanksioneve, Irani do të duhet të bie dakord për kufizime të thella dhe të përhershme në programin e tij bërthamor për të garantuar se Teherani nuk është në gjendje të prodhojë një bombë bërthamore.

Irani thotë se nuk dëshiron të prodhojë armë bërthamore, por Këshilli i Sigurimit i OKB-së, dhe ekspertët bërthamorë, janë të shqetësuar se disa aspekte të programit të Teherani e kanë sjellë atë afër ndërtimit të aftësive për prodhimin e armëve bërthamore.

Eksperti i politikave bërthamore Mark Hibbs i organizatës Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, thotë se çështja kyçe është nëse udhëheqësit kryesorë të Iranit do të pranojnë kufizime të tilla mbi një program që ata e kanë bërë një element kyç të krenarisë kombëtare të Iranit, duke mohuar lidhjen e tij me armët bërthamore.

"Pengesa më e madhe mund të jetë shkalla në të cilën iranianët janë të gatshëm të zbulojnë aspekte të ndjeshme të programit të tyre bërthamor, që tregojnë studimet që ata kanë bërë për zhvillimin e armëve bërthamore."

Përveç kësaj, ka shumë çështje të tjera teknike në lidhje me pasurimin e uraniumit dhe prodhimin e plutoniumit, si dhe aftësive të objekteve të ndryshme. Nga ana tjetër, ekziston një numër sanksionesh komplekse ndërkombëtare dhe bilaterale ndaj Iranit nga disa vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar i lartë amerikan tha dje se bisedimet do të jenë të "komplikuara, të vështira dhe të gjata". Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, bëri thirrje për bisedime serioze dhe të përqëndruara, dhe tha se shanset e tyre të dështimit apo suksesit janë pothuaj të barabarta.

Tani për tani, pritjet janë të ulëta. Por zyrtari amerikan vuri në dukje se deri tani zbatimi i marrëveshjes së përkohshme është duke shkuar mirë, duke shtuar se tani takimet, komunikimet me telefonë dhe email mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre iranianë janë rutinë. Ai tha se kjo është një atmosferë tërësisht e re krahasuar me muajt e mëparshëm.
XS
SM
MD
LG