Lidhje

Prova me raketë e Iranit: reagojnë udhëheqësit perëndimorë


Foto e marrë nga arkiva

Udhëheqës perëndimorë kanë reaguar me shqetësim ndaj njoftimit të Iranit të shtunën se kishte provuar me sukses një raketë të re balistike me rreze të mesme veprimi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi të shtunën se “Irani sapo testoi një raketë balistike të aftë për të arritur Izraelin, dhe se Teherani gjithashtu po bashkëpunon me Korenë e Veriut. Kjo bie në kundërshtim me marrëveshjen!"

Presidenti Trump i referohet marrëveshjes bërthamore të Iranit 2015 që hoqi sanksionet ekonomike të Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit në këmbim të heqjes dorë nga disa aktivitete bërthamore.

Franca, një tjetër nënshkruese e marrëveshjes, reagoi në një deklaratë të ministrisë së jashtme. "Franca kërkon që Irani të ndalë të gjitha aktivitetet destabilizuese në rajon dhe të respektojë të gjitha dispozitat e Rezolutës 2231, duke përfshirë thirrjen për të ndalur këtë lloj aktiviteti balistik.

Edhe Izraeli, shpesh objektivi i agresionit retorik të Iranit, gjithashtu reagoi.
Ministri i Mbrojtjes Avigdor Lieberman e quajti provën me raketë një provokim që synonte Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe aleatët e tyre. Zoti Lieberman shtoi se prova ishte dëshmi e ambicies së Iranit për t'u bërë fuqi botërore në mënyrë që të kërcënojë vendet e Lindjes së Mesme dhe shtetet demokratike anembanë botës.

Mediat shtetërore të Iranit të shtunën transmetuan video të provës dhe video në fluturim të raketës.

Megjithatë, nuk ishte e qartë se kur dhe ku u zhvillua prova dhe nisja e raketës Khorramshahr. Raketat kanë një distancë prej 2,000 kilometrash dhe kanë kapacitet për të mbajtur disa mbushje.

Presidenti Hassan Rouhani tha të premten në një paradë ushtarake se Irani do të forconte programin e raketave pa kërkuar leje të ndonjë vendi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG