Negociatorët kanë rifilluar në Vjenë bisedimet për rigjallërimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore, ndërsa Shtetet e Bashkuara po angazhohen në distancë sikurse në raundet e mëparshme që kur administrata e Presidentit Trump u tërhoq nga marrëveshja tre vjet më parë.
Shpresat për përparim të shpejtë u shuan pasi qeveria e re e linjës së ashpër në Teheran çoi në një ndërprerje pesë mujore të negociatave. Pjesëmarrja jo e drejtpërdrejtë e Shteteve të Bashkuara ka bërë që Irani të zhvillojë bisedime me nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes bërthamore, Rusinë, Kinën, Francën, Gjermaninë dhe Britaninë. Negociatorët u mblodhën të hënën në hotelin luksoz “ Palais Coburg” ku u nënshkrua marrëveshja gjashtë vjet më parë.
Zyrtari i Bashkimit Evropian që kryesonte bisedimet u shpreh me tone optimiste pas përfundimit të takimit. Diplomati Enrique Mora tha për gazetarët se Irani e kishte bërë të qartë se dëshiron të angazhohet në “diskutime serioze” për të rigjallëruar marrëveshjen.
“Ndjehem pozitiv se gjatë javëve të ardhshme ne mund të bëjmë gjëra të rëndësishme”.
Ekipi amerikan i kryesuar nga i dërguari i posaçëm i Presidentit Biden për Iranin, Robert Malley, po qëndron pranë vendit ku po zhvillohen negociatat dhe po informohet nga diplomatët e vendeve të tjera lidhur me bisedimet.
Në lojë është ripërtëritja e marrëveshjes për vendosjen e kufizimeve në programin bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja në vitin 2018 gjatë administratës së ish presidentit Donald Trump, pas së cilës Irani filloi të tërhiqej nga angazhimet e tij.
Deri më sot, Irani ka tejkaluar kufijtë e dakorduar të sasisë së rezervave të uraniumit, ka pasuruar uranium në nivele më të larta dhe ka përdorur centrifuga më të avancuara në objektet e tij bërthamore.
Marrëveshja origjinale pasoi shqetësimet se Irani po punonte për të zhvilluar armë bërthamore, gjë qe Teherani e ka mohuar vazhdimisht duke thënë se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore.