Lidhje

Presidenti i Irakut emëron nënkryetarin e parlamentit të formojë qeverinë


Presidenti i Irakut Fouad Massoum i kërkoi sot zëvendës kryetarit të parlamentit Haider al-Abadi, të formojë një qeveri të re, ndërsa vendi lufton kundër militantëve të shtetit islamik. Zoti Al-Abadi u emërua nga blloku kryesor shiit i Irakut, Aleanca Kombëtare.

Ky hap i presidentit irakian vjen pas përpjekjeve të Kryeministrit të tanishëm Nuri al-Maliki për të mbetur në pushtet megjithë thirrjet e sunive, kurdëve dhe disa shiitëve të tjerë që ai të largohej dhe t'i linte vendin një figure më pak polarizuese.

Al-Abadi është inxhinier elektronik dhe ka gradën doktor nga Universiteti i Mançesterit në Britani.

Para kësaj, gjykata më e lartë e Irakut deklaroi se blloku i zotit Maliki është më i madhi në parlament. Zoti Maliki kishte thënë se do të ngrinte padi kundër Presidentit Massoum, sepse nuk emëroi një kryeministër të ri para afatit të së dielës.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ka thënë se formimi i një qeverie është me rëndësi kritike për stabilitetin e Irakut dhe i ka kërkuar zotit Maliki që të shmangë acarimet e situatës.

“Irakianët duhet ta dinë se nuk do të kenë mbështetje ndërkombëtare për asgjë që do të devijonte nga procesi legjitim kushtetues, në bazë të të cilit po punohet tani. Ata duhet ta përfundojnë këtë dhe t’i japin qeverisë së re një shans që të votohet dhe të ecet përpara,” tha zoti Kerry.

Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara kanë shprehur mbështetje për presidentin Massoum dhe përzgjedhjen e një kryeministri që do të udhëhiqte një qeveri të re, gjithpërfshirëse.

Zyrtarët amerikanë dhe shumë analistë perëndimorë thonë se që nga ardhja në pushtet në vitin 2006, zoti Maliki, i sektit shiit, ka dështuar të unifikojë vendin e ndarë. Ata thonë se ai është gjithnjë e më i papranueshëm për myslimanët irakianë suni, për kurdët dhe për shumë të tjerë të sektit shiit.

Nënpresidenti amerikan Joe Biden i telefonoi zotit Massoum të cilit i shprehu mbështetjen e Uashingtonit për emërimin prej tij të një kryeministri, duke e quajtur këtë një "moment historik kyç" në krijimin e një "qeveri më përfshirëse." Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun përgëzoi zotin Massoum për hapin drejt formimit të një qeverie të re.
Menjëherë pas këtij emërimi, kryeministri i tanishëm al-Maliki u shfaq në televizion me anëtarët e bllokut të tij politik duke ngulur këmbë se nuk do ta pranonin emërimin dhe se zoti Maliki mbetet alternativa e tyre për kryeministër.
Zoti Abadi ka 30 ditë për të formuar qeverinë e re. Ai shprehu besimin se vendi mund të mposhtë përfundimisht kryengritësit e Shtetit Islamik të cilët po përpiqen të vendosin një kalifat islamik në të gjitha territoret që kanë pushtuar.
XS
SM
MD
LG